Me nisjen e Epopesë së UÇK-së fillon edhe përkujtimi i heroit Adem Jashari. Por, megjithëse në shqip historia për të dhe familjen e tij është e qartë, dallimi në perspektiva historike është më se i vërejtshëm në faqen Wikipedia – në versionin anglisht, shqip dhe rusisht të saj.
Në versionin në rusisht, fillimisht ofrohen të dhënat bazike për të si emri dhe data e lindjes e e vdekjes. Por më pas, Jashari cilësohet si themeluesi i ‘organizatës terroriste’ UÇK.
“Adem Jashari vjen nga një klan rebelësh shqiptarë që kishin bërë rezistencë të armatosur ndaj njësiteve jugosllave edhe në dekadat e kaluara.” – shkruhet më tej, përcjell Periskopi.
Më poshtë, citohet analisti Tim Judah të ketë shkruar në një libër të tij se “Adem Jashari i urrente serbët, dhe se nuk ishte një gueril ideologjik”. Më tej, duke e cituar po Tim Judah-n, aty thuhet se “Adem Jasharit i pëlqente të pinte, dhe të dilte më pas e të vriste serbë”.
Po ashtu, për ta përulur figurën heroike të Adem Jasharit, në versionin rusisht shkruhet se ai ishte një “fshatar i zakontë analfabet”.