LAJME

Këto janë sfidat e Abdixhikut në krye të LDK-së, sipas analistëve

Pasi LDK-ja kaloi një rezultat zhgënjyes në zgjedhje parlamentare, Lumir Abdixhiku nuk pritet të kalojë ditë të lehta të krye të kësaj partie.

Analistët thonë se ndër testet e para të Abdixhikut është se si ai do të sillet në raport me kandidaturën e Vjosa Osmanit për presidente.

Donika Emini thotë se sinjali i parë për profilin e Abdixhikut do të jetë dita kur Kuvendi do të votojë për zgjedhjen e  presidentit të ri.

“Abdixhiku i takon një gjenerate të re. Duke qenë se ai ka qenë i afërt me zonjën Osmani, sinjali i parë apo sfida e tij e parë do të jetë se a do të qëndrojë në sallë apo jo LDK kur të votohet presidentja. Ky do të jetë një sinjal brenda LDK-së por edhe te të tjerët se a do ta mbajë këtë elektorat apo do ta zgjerojë atë”, shprehet për RTV Dukagjinin, Donika Emini.

Profesori Fadil Sahiti thotë se Abdixhiku duhet të krijojë një individualitet politik.

“Unë pres që ai të krijojë një individualitet politik më së shumtie të mos kopjojë veprimet e liderëve tjerë të skenës politike”, deklaroi Sahiti, përcjell Telegrafi.

Sahiti thotë se lideri i LDK-së nuk duhet të fokusohet shumë në zgjedhjet lokale që mbahen nga fundi i këtij viti.

“Është periudhë e shkurtër që ai të arrijë suksese. Unë mendoj se ai do të gabonte nëse fokusohet shumë në zgjedhje lokale. Qëllimi do të ishte që ai ta konsolidojë partinë për zgjedhjet e ardhshme parlamentare”, deklaroi më tej Fadil Sahiti.

Abdixhiku erdhi në krye të partisë me besimin e 191 delegatëve, derisa në garë ishin edhe Lutfi Haziri dhe Besian Mustafa./Telegrafi/