LAJME

Kjo është marrëveshja për targat që u arrit mes Kosovës dhe Serbisë

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi ka njoftuar se është arritur një marrëveshje në parim me Serbinë, sa i përket targave.

Ai në një lidhje direkte për media nga Brukseli ka dhënë edhe detaje të marrëveshjes, shkruan Indeksonline.

“Deri tash kemi arritur te një draft final, që thuajse është dakorduar në tërësi. Ka mbetur vetëm pala serbe të jap dakordim final. Marrëveshja parasheh tri elemente.

E para nga dita e hënë si Kosova ashtu edhe Serbia të avancojnë në përdorimin e stikersave në vend të ndërrimit të tabelave, që ishte edhe synimi i ynë të kemi trajtim të barabartë.

Është e përkohshme dhe do të formohet grup punues për gjetje të një zgjedhje të përhershme për lëvizje të lirë të veturave brenda gjashtë muajve. Pika e tretë ka të bëjë me deeskalimin e situatës, largimin e barrikadave nga dy pikat kufitare në Jarinjë e Bërnjak.

Sipas kësaj marrëveshje, të shtunën do të vendoset KFOR-i në pikat lartë, e pas disa orëve do të zëvendësohej Policia Speciale, që paralelisht me barrikadat do të largohej nga pikat kufitare“Bislimi po ashtu gjatë atij prononcimi tregoi edhe pikën që Serbia nuk e ka dhënë pëlqimin.

“E vetmja pikë ku Serbia ende nuk e ka dhënë pëlqimin para se marrëveshja të quhet e finalizuar ka të bëjë me veturat KM për të cilat ata mendojnë që nuk do të duhej të aplikoheshin stikersat, kjo është absurde për arsye se ato janë tabela ilegale dhe ne nuk mund të nënshkruajmë marrëveshje ku favorizohen poseduesit ilegal të tabelave kështu që edhe ata do të kishin të njëjtin sistem për aq kohë sa lëvizin në veri, ndërkaq në jug do të konfiskoheshin“.