LAJME

Krasniqi: Qeveria i hapi në verë dasmat e ahengjet, për të na i mbyllur në vjeshtë shkollat dhe çerdhet

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, në seancën e parë vjeshtore të Kuvendit të Kosovës sërish ka ftuar kryeministrin Albin Kurti dhe udhëheqësit e opozitës që të bëhen në një front të përbashkët për menaxhimin e pandemisë e cila po vazhdon të marrë jetën e qindra kosovarëve gjatë një jave.

Krasniqi tha se kryeministri Kurti nuk iu përgjigj fare në letrën e dërguar javë më parë përmes së cilës i ka ofruar bashkëpunim në menaxhimin e tragjedisë me pandeminë.

Ai tha se përballë këtij refuzimi e mos reflektimi në këto rrethana, gjërave duhet t’iu vëmë emrin e tyre përkatës.

“Për punë të mbara nuk mjaftojnë uratat, por kërkohet angazhim, reflektim dhe përgjegjësi. Pikërisht këto cilësi që nuk i kemi parë t’i ushtrojë kjo Qeveri. Një Qeveri e mirë do ta kishte shtruar këtë çështje në rrafsh të bashkëpunimit e jo në çështje politike. Unë i ofrova bashkëpunim Kurtit për gjendjen e rënduar që kaluam për dy muaj. Por pashë një refuzim. Nuk kishte as vëmendje, as përgjigje, as iniciativë. Përballë këtij refuzimi, gjërave duhet t’ua vejmë emrin. Keq-menaxhimi i Qeverisë për gjendjen e rënduar që kaluam, keqadministrim i kësaj Qeverie që jemi gati të fundit në vaksinim. Qeveria i hapi dasmat e ahenget për të na mbyllur shkollat e çerdhet”, deklaroi Krasniqi.

Deklarata e plotë e Krasniqit në Kuvend:

Meqenëse është seanca e parë e sesionit vjeshtor të Kuvendit, që në fillim dëshiroj t’ju uroj punë të mbarë të gjithëve, në agjendën që kemi para vetës si deputetë.

Por, meqë është seanca e parë pas një periudhe pushimi që ishte periudhe tragjike për jetën e qindra qytetarëve tanë në ballafaqim me pandeminë, për çka ju shpreh ngushellime të gjitha familjeve që humbën më të dashurit e tyre, nuk mund ta lë pa e thënë se për punë të mbara, nuk mjaftojnë uratat, as fjalët dhe as dëshirat.

Për punë të mbara, kërkohet reflektim, angazhim dhe ballafaqim me përgjegjësitë që kemi gjithsecili prej nesh.

Reflektim, angazhim e përgjegjësi, pikërisht këto anë, që nuk i kemi parë t’i ushtrojë kjo qeveri gjatë kësaj periudhe.

Çdo qeveri e përgjegjshme dhe e ndërgjegjshme, një ballafaqim të tillë me rrethanat pandemike në të cilat gjendemi sot, do të duhej ta kishte shtruar në një rrafsh social e kombëtar, e kurrsesi jo në atë politik.

Në një rrafsh të bashkëpunimit, e jo të refuzimit.

Sepse pasojat tragjike dhe rrethanat e rënduara për qytetarët nga pandemia, nuk janë çështje politike. Janë çështje publike dhe emergjente.