Kurti i veshur me fanellë të Kombëtares së Kosovës viziton futbollistët: Po na bëni krenarë (FOTO)
Kryeministri Albin Kurti e ka vizituar sot ekipin Kombëtar të Kosovës në hotelin ku janë duke qëndruar.
Ai ka zhvilluar bashkëbisedim me futbollistët, ndërsa të pranishëm kanë qenë edhe Kryetari i FFK-së, Agim Ademi dhe përzgjedhësi Bernard Challandes.
“Gjatë kësaj vizite kryeministri Kurti përgëzoi djemtë dardanë për paraqitjet e tyre mbresëlënëse dhe i uroi për një cikël të suksesshëm në kualifikimet për Botërorin “Katar 2022”. Kurti theksoi se futbolli në Kosovë gjithmonë ka qenë sport i dashur, derisa tani sukseset e djemve dardanë po e bëjnë krenarë të gjithë popullin”, thuhet në njoftimin e FFK-së.
“Ai u shpreh i lumtur që në kampin e Dardanëve ekziston një atmosferë shumë e mirë dhe harmoni ndërmjet lojtarëve, pasi kjo është garancë për suksese të reja. Në anën tjetër, presidenti Agim Ademi duke e uruar kryeministrin Kurti për detyrën e marrë, e falënderoi atë për vizitën dhe mbështetjen ndaj ekipit Kombëtar dhe i dhuroi një fanellë të ekipit kombëtar”.
Në emër të futbollistëve kryeministrin Kurti e përshëndeti kapiteni Samir Ujkani, i cili falënderoi institucionet dhe tërë popullin për përkrahjen e madhe që i japin ekipit kombëtar, duke u zotuar se do të japin edhe më tutje maksimumin në fanellën e shenjtë dardane.