LAJME

Kush janë 10 kompanitë më të mëdha në Shqipëri? Revista Monitor nxjerr klasifikimin sipas xhiros së ndërmarrjeve

Viti 2020 ishte një vit I vështirë për ekonominë shqiptare, por disa kompani e kanë ruajtur trendin e tyre të xhiros vjetore në vitin e pandemisë, madje të jenë në pararojë me shitjet dhe bilancet e treguara tek tatimet.

Revista Monitor, dhe drejtoresha e saj Ornela Liperi, kanë bërë klasifikimin e ndërmarrjeve që operojnë në Shqipëri, sipas xhiros dhe deklarimeve të tyre në tatime. Klasifikimi sipas Monitor është ky:

1. OSHEE Group

Operatori I Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE), kompania më e madhe në vend me pronësi publike pësoi transformim të rëndësishëm gjatë 2020. Ardian Çela, administrator I përgjithshëm I OSHEE pohoi se në kushtet e vështira të pandemisë shoqeria arriti të sigurojë furnizimin me energji elektrike. Por, ky vit, pati pasojë të uljes së të ardhurave për shkak të bizneseve që tkurrën konsumin.

2. Kastrati Group

Kompania më e madhe e importit dhe tregtimit të naftës u rendit e dyta në vend me kapital privat në listën e Monitor 200. Kompania raportoi 372 milionë euro qarkullim vjetor me një rënie prej 28.4% nga një vit më parë. Vitet e fundit Kastrati Group është diversifikuar edhe në ndërtim dhe hoteleri me një sërë projektesh në infrastrukturë, porte, aeroporte e autostrada.

3. BKT

Banka Kombëtare Tregtare renditet e treta në 10 më të mëdhatë. Qarkullimi vjetor sipas burimeve zyrtare nga banka ishte 25.6 miliardë lekë me një rritje prej 2.2% nga viti  I mëparshëm. CEO I Bankës Seyhan Pencapligil thotë se objektivat e fitimit dhe rritjes u arritën në vitin 2020 dhe banka është në rrugën e duhur për ti arritur edhe gjatë këtij viti.

4. Kurum International

Kurum me aktivitet në prodhimin, tregtimin e celiqeve të ndërtimit e profileve të tjera të hekurit dhe energji e ka mbyllur vitin e pandemisë me qarkullim vjetor 23.7 miliardë lekë me një rënie prej 3.1% me bazë vjetore. Pas pezullimit të prillit të vitit të kaluar, kompania e rimori shpejt veten, e ndihmuar edhe nga rimëkëmbja e ndërtimit në vend.

5. Gega Oil Group

Gega Oil është renditur si operatori I dytë më I rëndësishëm I tregtimit të naftës në vend pas Kastrati Group për të tretin vit radhazi. Kompania deklaroi qarkullim vjetor prej 22.1 miliardë lekësh por me një rënie nga një vit më parë. Kompania thotë se ka kryer investime në Porto Romano dhe ka shtuar kapacitetet e depozitave.

6. Big Market

Big Market, zinxhiri më I madh I supermarketeve në vend për herë të dytë është klasifikuar si 10 ndër më të mëdhatë sipas qarkullimit vjetor. Të dhënat zyrtare tregojnë një xhiro prej 19.2 miliardë lekësh me një rritje prej 6.4% nga viti I kaluar. Elona Koshi, CEO e Bigalb group thotë se viti pandemik nuk bëri dallim për kompaninë që vazhdoi me shitjet.

7. Bankers Petrolium

Bankers Petrolium, prodhuesi më I madh I naftës në vend që ka në koncesion fushën më të madhe naftëmbajtëse mbi tokë në Europë, Patoz – Marinëz raportoi të ardhura mbi 15 miliardë lekë me një tkurrje 50% me bazë vjetore sipas burimeve të saj zyrtare. Sipërmarrja u prek nga pandemia në fillim të 2020, por më vonë situata u rikthye në normalitet.

8. AGNA Group

Agna është distributor më I madh në vend. Në 2020 qarkullimi vjetor I kompanisë ishte 14.8 miliardë lekë me një tkurrje prej 6.5% për shkak të pandemisë. CEO I Agna Group Vasil Naci pohon se viti I pandemisë ka qenë I vështirë, me të papritura. Gjithsesi viti shkoi mirë për shkak të natyrës së biznesit të Agna Group pra në industrinë e produkteve të konsumimit të shpejtë.

9. Inter Distribution Service

Inter Distribution Service, pjesë e Infosoft Group është renditur në 2020 në 10 më të mëdhatë. Qarkullimi vjetor I kompanisë ishte 13.2 miliardë me një tkurrje prej 4.8%.

10. Vodafone Albania

Vodafone, operatori më I madh I telefonisë së lëvizshme në vend ka raportuar të ardhura prej 12.7 miliardë lekë, me një tkurrje prej 20 përqind me bazë vjetore, sipas burimeve nga kompania, pasi bilanci I atij viti nuk është dorëzuar në QKB.