Lladrovci letër PDK-së: Tkurrja e saj arriti pikën alarmante-dështimin na e paralajmëroi votimi i vitit 2019
Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci ka thënë se tkurrja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), arriti pikën alarmante, për shumë arsye dhe dështimin na paralajmëroi votimi i vitit 2019.
Lladrovci përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se zgjedhjet e 14 shkurtit ishin paralajmërim jo vetëm nga ai por edhe nga qytetarët që vizionin e PDK-së e kanë parë si slogan për përfitime individuale.
Ai tutje shtoi se dështimin në këto zgjedhje ua paralajmëruan jo vetëm zgjedhjet e vitit 2019, por edhe rrëzimi i Qeverisë pa u bërë 100 ditë.
“Tkurrja e PDK-së, arriti pikën alarmante,për shumë arsye. Dështimin na paralajmëroi votimi i vitit 2019. Na paralajmëroi pjesëmarrja jonë në rrëzimin e Qeverisë pa u bërë 100 ditë, na paralajmëroi diaspora, na paralajmëroi fushata parazgjedhore, na paralajmëruan emrat e kandidatëve skematik të PDK-së dhe qytetari i tmerruar nga mungesa e ndjenjës për ta dhe mirëqenien e tij”, ka shkruar Lladrovci.
Lexoni më poshtë letrën e Lladrovcit:
Letër e hapur për Partinë Demokratike të Kosovës
Secili e di fillimin e vet politik, por, jo edhe fundin. Kjo çka ngjau në zgjedhjet e 14 Shkurtit, ishte paralajmërim, jo vetëm nga unë, por edhe nga dashamirët, simpatizantët dhe qytetarët që vizionin e Partisë Demokratike të Kosovës, e shihnin si slogan për përfitime individuale.
Tkurrja e PDK-së, arriti pikën alarmante, për shumë arsye.
Dështimin na paralajmëroi votimi i vitit 2019. Na paralajmëroi pjesëmarrja jonë në rrëzimin e Qeverisë pa u bërë 100 ditë, na paralajmëroi diaspora, na paralajmëroi fushata parazgjedhore, na paralajmëruan emrat e kandidatëve skematik të PDK-së dhe qytetari i tmerruar nga mungesa e ndjenjës për ta dhe mirëqenien e tij.
E gjithë kjo, nuk ishte e mjaftueshme për të marrë mësim.
Qytetarit nuk i mjaftoi historia, as fjalët e bukura. Atij i kanë munguar veprat. Ai të ndëshkon për ato që i bën keq dhe ato që nuk i ke bërë mirë. PDK ka bërë gabime për të pritur rezultat tjetër, për fat të keq, këtë e ndihmuan jo vetëm keqbërësit, por edhe karrieristët e regjur dhe profiterët vendorë e ndërkombëtarë.
Ashtu siç jam zotuar, komuna e Drenasit, ishte, është dhe mbetet bastion i pathyeshëm i PDK-së, vijuese besnike e themeluesve të UÇK-së dhe PDK-së, Hashim Thaçit e Kadri Veselit.

