Molliqaj: Opozita s’ka nevojë të dëshmohet para Kurtit por të kërkojë përgjegjësi për situatën në veri
Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, ka reaguar rreth situatës në veri duke thënë se në këtë situatë na solli një ‘qeveri miope’.
Ai thotë se opozita nuk ka nevojë të dëshmohet para Kurtit, por duhet të kërkojë përgjegjësi në Kuvend.
Ky është shkrimi i plotë i Molliqajt:
Kemi pritur 2 ditë pa reaguar për ta parë kahjen që po e merr zhvillimi i ngjarjes pas datës 20.
Situata e krijuar në veri është e rëndë dhe në rrezik të përshkallëzimit të mëtejshëm. Situata e krijuar nuk duket të ketë qenë e menduar, megjithëse mjaft lehtë e parashikueshme.
Mungesa e vizionit dhe guximit për dialogun po na shpërfaqet në aventura të pamenduara dhe improvizime. Diskursi qeveritar nga rrahagjokset për shtrirje sovraniteti është kthyer në llojin e njohur të mençurisë, ajo që nuk bëhet pre e provokimeve. Sigurisht se do të ketë solidaritet me policët e rrezikuar, por duhet kritikë dhe kërkesë për llogari politikës miope të Qeverisë.
Problemi i targave po shpien tek mungesa e autoritetit shtetëror të institucioneve të Republikes në veri. Secili segment i raporteve me Serbinë e reflekton tërësinë. Prandaj me Serbinë nuk duhen gjeste të çastit, por politikë me vizion dhe guxim.
Veriu nuk është vend për ekspozim armatimesh, por për strategji të mirëmenduar diplomatike dhe të sigurisë nëse vërtetë ke vendosur ta thyesh status-quon.
Partitë opozitare as opinioni publik nuk ka pse të dëshmohet para Kurtit. Këtu nuk ka vend për ndarjen nëse je me Kosovën apo me Serbinë. Partitë opozitare në Kuvend duhet të kërkojnë llogari për këtë papërgjegjësi të rrezikshme.