Ndërmarrjet Publike në Kosovë kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë cak i strehimit të militanteve partiake nga pushtetet, fillimisht duke u ‘kapur’ nëpërmjet bordeve për të kaluar tek strukturat tjera.
Zyra Kombëtare e Auditmit këtë sezone ka audituar vetëm 12 Ndërmarrje Publike (NP) për Pasqyrat Financiare Vjetore (PFV) të e vitit 2020. Këto NP ishin subjekt i auditimit nga ZKA-ja edhe vitin paraprak dhe shumica e tyre për disa vite me radhe.
Sipas të gjeturave të auditorit, ato, të gjitha së bashku, kanë mbi 89,3 milionë euro detyrime afatshkurtra dhe 80,3 milionë euro detyrime afatgjata. Sipas auditorit, kthimi i këtyre detyrimeve është mjaft i pasigurt, marrë parasysh faktin se të gjithat janë në kufij të rentabilitetit, e në terma real, operojnë edhe me humbje. Madje, parimi i vijimësisë së veprimtarisë në disa prej tyre, mund të vije në pikëpyetje serioze.
Auditimi ka nxjerrë në pah se sistemi i menaxhimit financiar dhe kontrolli i brendshëm i tyre ka nevojë për përmirësime të dukshme, shkruan lajmi.net.
Fakti që në 10 prej 12 NP-ve të audituara kishin gabime materiale dhe ka rezultuar që opinioni të jetë i modifikuar, tregon për cilësinë jo të mirë të sistemeve financiare në NP-të dhe mangësitë në raportimin financiar dhe transparencën lidhur me menaxhimin e fondeve dhe të pasurive publike.
Siç shihet në raportet e auditorit, edhe këtë vit NP-të janë përcjellë me mangësi të njëjta sikurse vitet e kaluara. Mangësi më të shpeshta ishin mos instalimi i një mekanizmi të qeverisjes së mirë i cili do t’i kontribuonte zbatimit të politikave efektive që sigurojnë se objektivat janë duke u arritur në mënyrë ekonomike dhe efikase.
Pastaj, dobësitë: mos ndarja e detyrave, auditime të brendshme jo efektive, mos publikimi i rregulloreve, raporteve për qëllime transparence, dhe gabime në PFV, sipas auditorit tregojnë për domosdoshmërinë e reformave dhe ristrukturimeve të thella në NP-të që ishin objekt i auditimeve nga ZKA-ja.
Sipas të gjeturave të auditorit, proceset ekzistuese të përgatitjes së pasqyrave financiare vjetore nuk ishin adekuate. Ato nuk përmbajnë analiza të mjaftueshme dhe nuk marrin në konsideratë rreziqet të cilat mund të ndodhin dhe të rrezikojnë NPtë në arritjen e objektivave të përcaktuara për të prezantuar gjendjen e saktë dhe të drejtë të transaksioneve, zërave dhe pasqyrave financiare.
Për të përmirësuar mënyrën aktuale të menaxhimit të Ndërmarrjeve Publike, ZKA ka dhënë një numër të rekomandimeve për përgatitjen e PFV-ve dhe forcimin e kontrolleve të brendshme, të cilat janë prezantuar në raportet individuale të auditimit dhe janë adresuar tek personat e ngarkuar me përgjegjësi menaxhuese të NPve dhe tek aksionaret e tyre.
Në tabelën në vijim është dhënë një pasqyre e opinioneve të dhëna për PFV-të e vitit 2020 dhe 2019 të audituara nga ZKA-ja.
Opinionet e auditimit për Ndërmarrjet Publike
Parregullsitë e identifikuara gjatë auditimit të cilat kanë shkaktuar modifikimin e opinionit apo theksimin e çështjes, kanë të bëjnë me shkaqet si në vijim:
Opinioni i pamodifikuar – ishte dhënë vetëm për Kompaninë e Menaxhimit të Deponive në Kosovë sh.a, e cila kishte prezantuar PFV-të pa gabime materiale.
Opinioni i pamodifikuar me theksim të çështjes – ishte dhënë për NREK sh.a për shkak që ekzistojnë pasiguri materiale të cilat mund të shkaktojnë dyshime të rëndësishme për aftësinë e Ndërmarrjes, për të vazhduar në vijimësi dhe rrjedhimisht ajo mund të mos jetë në gjendje të realizojë aktivitetet e saj dhe të shlyejë detyrimet gjatë rrjedhës normale të veprimtarisë. Investitori i projektit Kosova e Re kishte deklaruar tërheqjen e tij nga ndërtimi i termocentralit Kosova e Re dhe kishte paditur qeverinë e Kosovës në Gjykatën e Arbitrazhit.
Opinionet e kualifikuara – janë dhënë [Hekurudhat e Kosovës – Trainkos sh.a, dhe KRU Hidroregjioni sh.a] për shkak të mos rivlerësimit të pasurive jo qarkulluese për me gjatë se pesë vite respektivisht që nga korporatizimi i tyre në vitin 2007, kur ishin nën menaxhimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit. Të hyrat e shtyra nga granti janë mbivlerësuar në PFV-të, Llogaritë e pagueshme tregtare janë mbivlerësuar, vlerat e prezantuara të pasurive në PFV-të nuk ishin të sakta, shpenzimet e zhvlerësimit dhe rezervat e rivlerësimit ishin nënvlerësuara si dhe shënimet shpjeguese që nuk ishin të plota dhe të sakta..
Opinionet e Kundërta – janë dhënë [KRU Drini i Bardhë sh.a, KUR Prishtina sh.a, KRU Hidromorava sh.a, KRU Bifurkacioni sh.a, Posta e Kosovës sh.a, Telekomi i Kosovës sh.a,
Hortikultura sh.a, dhe KRM Pastrimi sh.a] për shkak të pasaktësive materiale në prezantimin e pasqyrave financiare, konkretisht për zërat dhe informacionet lidhur me: llogaritë e arkëtueshme, llogaritë e pagueshme, pasuritë jo qarkulluese, prona, pajisjet dhe impiantet, investimet në vijim, stoku, të hyrat e shtyra nga grantet, pasuritë tjera afatshkurtra, mbivlerësimi i të hyrave nga qiraja, detyrimet tjera afatshkurtra, llogaritë e pagueshme tregtare, të hyrat, rrjedha e parasë sipas aktiviteteve (operative dhe investuese), shpalosje e pamjaftueshme e hipotezës se vijimësisë, pasqyra e ndryshimeve në ekuitet si dhe shënimet shpjeguese nuk ishin të plota dhe të sakta.
Analiza e gjendjes financiare në Ndërmarrjet Publike
Në tabelë janë paraqitur treguesit kryesor të gjendjes financiare për 12 ndërmarrje publike (10 të nivelit qendror dhe dy të nivelit lokal). Subjekt i kësaj analize kanë qenë: të hyrat, shpenzimet, rezultati financiar, detyrimet afatshkurtra dhe afatgjata.
Të hyrat e realizuara nga ndërmarrjet e audituara në vitin 2020 janë në shumën 108,503,844 euro, kurse totali i shpenzimeve është në shumën 124,622,219 euro. Sipas auditorit, pesë ndërmarrje publike kishin prezantuar rezultat negativ financiar që në total paraqesin humbje prej 19,505,305 euro, ndërsa shtatë ndërmarrjet tjera kishin prezantuar rezultat pozitiv financiar me një fitim total prej 1,109,359 euro. Pjesën më të madhe të humbjeve e përbënë Telekomi i Kosovës sh.a në shumën 16.6 milionë euro.
Tabela më lartë prezanton shifra shqetësuese për stabilitetin financiar të këtyre ndërmarrjeve. Ato, të gjitha së bashku, kanë mbi 89,3 milionë euro detyrime afatshkurtra dhe 80,3 milionë euro detyrime afatgjata. Sipas auditorit, kthimi i këtyre detyrimeve është mjaft i pasigurt, marrë parasysh faktin se të gjithat janë në kufij të rentabilitetit, e në terma real, operojnë edhe me humbje. Madje, parimi i vijimësisë së veprimtarisë në disa prej tyre, mund të vije në pikëpyetje serioze.
Pasi që mbi 89,3 milionë euro janë obligime afatshkurtra, ekziston rreziku që këto ndërmarrje të mos jenë në gjendje t’i përmbushin këto detyrime. Në një situatë të tillë, Qeveria do të jetë nën presion që t’i mbuloj disa deficite të këtyre ndërmarrjeve për t’iu shmangur procedurave të falimentimit për shkak të interesit publik. Kështu që, sipas auditorit, nëse nuk merren masa për hartimin e strategjive për tejkalimin e situatës së krijuar, barra financiare e Qeverisë do të ngarkohet edhe më shumë.
Konkluzionet e auditorit janë se Bordet Drejtuese të ndërmarrjeve publike, nuk ishin mjaftueshëm të përkushtuara për vendosjen e politikave dhe strategjive për tejkalimin e gjendjes jo të mirë në të cilat ndodhen ato ndërmarrje. Prandaj, përfshirja më aktive e Aksionarit në zgjidhjen e problemeve është e domosdoshme.
ZKA ka rekomanduar Qeverinë, Ministrinë e Ekonomisë dhe komunat që: Të sigurojnë që Bordet e Drejtorëve kanë analizuar rezultatet financiare të ndërmarrjeve publike, kanë hartuar dhe siguruar zbatimin e planeve të biznesit me qëllim të përmirësimit të gjendjes financiare dhe afarizmit të këtyre ndërmarrjeve./Lajmi.net/