LAJME

Ngrihet aIarmi, Serbia i νendos Kosovës 4 kushte për dialog, Albini i’a bën 8 me 2 me përgjigjen e tij!

Sipas mediave të Beogradit, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ia ka paraqitur katër kushte Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare për t’u kthyer në dialog.

Ndërkohë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka vetëm një kusht për ta hequr masën për të mos i lejuar të hyjnë në Kosovë automjetet me targa serbe, shkruan Gazeta Express.

Pas dërgimit të njësive policore të armatosura ROSU në veri të Kosovës me qëllim të mbikqyrjes së zbatimit të vendimit të Qeverisë për reciprocitet në çështjen e targave të automjeteve, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha qartë se nuk aryse që dialogu të vazhdojë në këtë moment.

Ai paraqiti disa kushte për vazhdimin e dialogut: që Bashkimi Evropian të tregojë nëse vijon të jetë në fuqi marrëveshja e Brukselit apo jo, që policët e armatosur të tërhiqen nga veriu, që vendimi kundër Ivan Todosijeviqit të anulohet dhe që të jepen licensa për dy kompanitë serbe të energjisë elektrike, shkruan Novosti, medium i afërt me kreun e shtetit serb.

Serbia kërkon formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ashtu që kreu i shtetit serb e ka pyetur Bashkimin Evropian nëse marrëveshja për të është ende e vlefshme.

Kjo marrëveshje u ratifikua edhe nga Kuvendi i Kosovës. Megjithatë, Gjykata Kushtetuese kishte gjetur shkelje në disa pika të marrëveshjes për formimin e Asociacionit. Kjo konsiderohet e e papranueshme për Beogradin.

Beogradi po ashtu ka kërkuar vazhdimisht licensimin e dy kompanive serbe, “Elektrosever” dhe “EPS trgovina” për furnizimin me energji elektrike në veri të Kosovës.

Serbinë e irriton edhe vendimi i Gjykatës së Apelit në Kosovë e cila e ka konfirmuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, sipas të cilit deputeti i Kuvendit të Kosovës nga Lista Serbe, Ivan Todosijeviq, ishte dënuar me dy vjet burgim në nën akuzat për nxitje të urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit kombëtar, racor, fetar apo etnik, pasi e quajti trillim masakrën e Reçakut.

Todosijeviq pati deklaruar në mars të vitit 2019 se “arsye për agresionin e NATO-s ka qenë e ashtuquajtura katastrofë humanitare në Kosovë dhe masakra e trilluar e Reçakut”. Deklarata e tij përkonte me 20-vjetorin e fillimit të bombardimeve të NATO-s në caqet e ish-ushtrisë jugosllave – fushatë kjo që i dha fund luftës në Kosovë. Serbia kërkon anulimin e këtij aktgjykimi, duke e bërë këtë një tjetër kusht për t’u kthyer në tavolinën e bisedimeve.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha të hënën në Kuvendin e Kosovës se vendosja e targave të Republikës së Kosovës për të gjitha automjetet me tabela të Serbisë nuk ka qenë dëshirë e tij, por imponim nga pala tjetër.

Kurti tha se ky vendim do të jetë në fuqi derisa qytetarët e Kosovës do të paguajnë për targa kur futen në Serbi. “I lus qytetarët serbë të vazhdojnë përditshmërinë pa frikë se po iu cenohet ndonjë e drejtë. Ju jeni të barabartë me ne. Targat nuk janë dëshirë e jona por imponim nga pala tjetër. Derisa qytetarët tanë do të paguajnë për targa kur futen në Serbi, do të vazhdojnë edhe targat e përkohshme kur hyjnë në Kosovë”, ka deklaruar kryeministri Kurti.

Kreu i Qeverisë së Kosovës tha dje se është i gatshëm që ta heqë masën e reciprocitet për targat në rast se edhe Serbia zotohet se do ta bëjë të njëjtën kundrejt Kosovës.

“Kjo masë është e barabartë me atë që shteti i Serbisë e aplikon ndaj Kosovës për dy dekada. E kam bërë të ditur edhe në takimin që e kam pasur me ambasadorët e QUINT-it dhe me shefin e misionit të BE-së, se vendimi i Kosovës është në kornizën e zbatimit të ligjit dhe jam i gatshëm që në çdo kohë këtë masë ta heqë, nëse kemi një zotim të tillë edhe nga pala e Serbisë”, ka thënë Kurti.