LAJME

Nuk përmbahet Vuçiq: Shpërfaq qëllimin për incidente në veri dhe fajëson Kurtin

Me deklaratën e tij se është i shqetësuar për informacionin (e rremë) se tre serbë u rrahën nga pjesëtarët e forcave speciale të Policisë së Kosovës në afërsi të vendkalimit kufitar Bërnjak, presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka treguar qëllimin e vërtetë të bllokimit të rrugës nga serbët lokalë.

Mediat serbe, të kontrolluara nga Vuçiqi, shpejt e kanë humbur durimin në pritje që pjesëtarët e Policisë së Kosovës të bien pre e provokimeve të serbëve lokalë në veri dhe të përdorin forcën ndaj atyre që kanë bllokuar rrugën dhe po po kujdestarojnë aty, duke fyer pjesëtarët e policisë.

Portali serb në veri të Mitrovicës plasoi sot lajmin e rremë se pjesëtarët e Policisë së Kosovës kanë rrahur tre banorë serbë në vendkalimin kufitar në Bërnjak.

Ky lajm u demantua nga Policia e Kosovës, por kjo nuk e ka penguar presidentin serb Vuçiq që të reagojë dhe të akuzojë Qeverinë Kurti dhe të kërkojë reagimin e NATO-s dhe BE-së, transmeton Telegrafi.

Siç transmetojnë mediat serbe, Vuçiq tha se është i shqetësuar, pasi ka marr informatën se pjesëtarët e Policisë së Kosovës, kanë rrahur tre serbë në afërsi të vendkalimit kufitar në Bërnjak.

“Ashtë çështje për NATO-n dhe për BE-në pse e lejojnë atë. Ne u treguam atyre qartë se cilët janë kufijtë dhe deri në çfarë mase do të durojmë dhunën e Albin Kurtit dhe forcave të tij. Këtë e dinë evropianët dhe amerikanët, ne e kemi thënë me shumë saktësi. Dhe e kemi thënë shumë saktësisht se cilat janë lëvizjet tona dhe në çfarë radhe po shkojnë”, u tha Vuçiq gazetarëve pas samitit demografik në Budapest.

Ai gjithashtu theksoi se “përpjekjet e reja për të rrezikuar ose përndjekur fizikisht serbët nuk do të ndodhin”.

Presidenti serb gjithashtu tha se është mirë që ende vlen Marrëveshja e Brukselit dhe shtoi se nesër pret mbajtjen e takimit urgjent të Ekipit Drejtues rreth Bashkësisë së Komunave Serbe.