Deputeti i PD-së dhe kryetari i degës së Fierit, Luan Baçi, ka folur në një lidhje direkte me emisionin “Të Paekspozuarit”. Ai ka komentuar pritjen e Berishës në Fier, gjatë aktivitetit “Foltorja”.
Baçi tha se baza e PD në Fier e mbështet Berishën dhe se janë shokuar nga vendimi i Bashës për përjashtimin e tij. Deputeti tha se është takuar me Lulzim Bashën, por nuk ka patur ndonjë kërkesë apo shantazh prej tij, pas takimit të Berishës në Fier.
“Asnjëherë nuk e kam mohuar respektin për Sali Berishën dhe kontributin që ka dhënë për PD-në. E prita Berishën, i ndërgjegjshëm për punën që bëja. Isha edhe përpara faktit të kryer të një numri të madh anëtarësh, simpatizantësh, strukturat drejtuese të degës, që e donin pjesëmarrjen në takimin me doktor Berishën.
Veprova në atë mënyrë, do të veproja 100 herë ashtu po të kthehesha mbrapa. Kjo solli rezultat pozitiv. Baza në Fier, njerëzit nuk janë dele për të qenë në rresht. Nuk kanë mendimin të jenë pro Bashës dhe pro Berishës. Si veprim, përjashtimi i Berishës nuk është pritur mirë. Është vendim i marrë personalisht, i pakonsultuar, nuk pritej nga anëtarësia. Kjo i ka shokuar dhe ka sjellë turbullim të madh tek anëtarësia. Do të ishte më mirë që të kishin funksionuar forumet, që mblidhen dhe vendosin. Nuk është pritur mirë.