Partia Socialdemokrate(PSD) ka dorëzuar të enjten kallëzim penal kundër ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, për lirim të masave anti-COVID, në kohë të papërshtatshme.
Me këtë rast, anëtari i kryesisë së PSD-së, Dren Kukaj tha se ministri Vitia me vendimin e datës 12 gusht ka konsumuar dy vepra penale, njërën të keqpërdorimit të pozitës dhe atë të përhapjes së sëmundjeve ngjitëse.
“Vitia ka deklaruar edhe vet se këtë vendim nuk e ka bazuar në rekomandime të IKShPK-së… Ne shpresojmë që kjo prokurori do të marrë provat dhe do të nisë hetimet ndaj këtij ministri, pasi vendimi i tij ka rënduar situatën me pandeminë”, tha ai.
Kurse anëtari tjetër i PSD-së, Driton Çaushi, siç njofton KP tha se gjithçka ka të bëjë me një keqmenaxhim me situatën pandemike dhe atë të vaksinimit.
Çaushi tha se nuk kanë ndonjë informacion për fshehjen e numrit të vdekjeve, porse theksoi se nuk do të çuditej edhe po të ndodhte një gjë e tillë.
Sipas tij, padia e dorëzuar sot do të duhej të shërbente si dëshmi serioze për atë që siç tha ai, kanë faktuar.