Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka bërë një tjetër status ku fajëson politikanët që morën pjesë në fushatën zgjedhore për rëndimin e gjendjes me pandeminë.
Ahmeti ka kërkuar përgjegjësi dhe kërkim-falje nga krerët e partive politike, pa dallim.
“Si ka mundësi të flasin për çkado tjetër para se ta bëjnë këtë gjë?” – ka thënë z.Ahmeti, në profilin e tij në Facebook, transmeton Periskopi.
Ai pretendon se numri i të vdekurve ditën e djeshme ishte 14, por sipas IKShPK-së, numri i djeshëm ishte 13.
Po gjatë ditës së djeshme, numri më i madh i të infektuarve, madje duke e kaluar me dyfish numrin e të infektuarve në nivel vendi, ishte në Prishtinë.
Statusi i plotë:
Kur partitë pa përjashtim (bashkë edhe me mjekët brenda partive) injoruan covidin totalisht në fushatë, arsyetimet ishin banale – thjeshtë thonin se ju duhen takimet me qytetarë që në përkthin i bie “na duhen votat”. Akuzat e ndërsjella për këtë temë konsideroheshin debate politike të fushates.
Dje në Kosovë ishin 14 viktima nga covid në një ditë. Katërmbëdhjetë në NJË ditë. A ka fije përgjegjësie nga dikush, së paku të kërkojë falje? Si kanë mundësi të flasin për çkado tjetër para se ta bëjnë këtë gjë?
Apo ti numërojmë e rinumërojmë njiherë e mandej merremi me të. Thjeshtë po trajtohet si çështje numrash. Sot 14, nesër sa?