Ish-futbollistja legjendare dhe ish-kapitenia e përfaqësueses së Maqedonisë në futboll për femra, Shyret Braimi nga Çairi i Shkupit, anëtare e dikurshme e KFF Shqiponjat nga Hasanbegu, e cila nga viti 2002-2008 me klubin e famshëm të femrave luajti gjashtë herë në Ligën e Kampionëve Europianë dhe fitoi mbi 10 kupa me ekipet që ka luajtur, në një intervistë për News- Tv ka rrëfyer për ditët e vështira që po i kalon sot.
“Po kaloj një jetë të vështirë që s’e kam besuar as vetë. Jetoj e vetme në shtëpi, pa prindër. Vëllezërit dhe motrat kanë familjet e tyre. Ka ardhur një situatë që të punoj si pastruese nëpër shtëpi të huaja.
Shumë njerëz më kanë parë duke pastruar. Më pyesin a jam Shyretja, a jo? Përveç pastrimit, njerëzit më thërrasin edhe për përkujdesjen e fëmijëve të tyre, kur kanë nevojë!
Besomëni se njerëzit habiten kur më shohin në këtë gjendje, thonë si është e mundur që një futbolliste me emër po pastron dhe përkujdeset për fëmijë”, thotë ajo.
Shyretja ka vetëm një dëshirë.
“Dëshira ime është që të kem një punë të rregullt dhe një rrogë.
Unë jam si ndihmëstrajnere në U15 të Maqedonisë për femra, por kemi grumbullime një herë në tre muaj, dhe na pagujnë nga 50 euro.
Ç’të bëj me ato para?!
U kam thënë disa personave që të më sigurojnë një vend pune, sepse e meritoj, pasi kam dhënë shumë djersë për futbollin.
Po më thonë të pajisem me licencë, por s’është problem licenca. Unë do të pajisem, por ajo s’më jep ushqim. Unë kam nevojë urgjente për një vend pune në Federatë”, e përfundon rrëfimin e saj të dhimbshëm për News-Tv ish-futbollistja më e mirë e përfaqësueses së Maqedonisë në futboll për femra në vitet 2002-2008.
Shyretja deri në vitin 2015 ka qenë aktive, por më pas në mungesë të kushteve financiare është tërhequr nga futbolli aktiv.