Tashmë ka përfunduar procesi i numërimit të votave me kusht dhe atyre me nevoja të veçanta. Ndërkohë ka nisur edhe procesi i numërimit të votave me postë. Periskopi iu sjell atë që po ndodh në rezultatet e përgjithshme nga këto zhvillime.
Çështja më e nxehtë është nëse Vetëvendosje do të arrijë të kalojë 50 përqindëshin e votave në nivel vendi, kur kanë mbetur për t’u numëruar edhe votat me postë.
Kjo parti politike e përdorte termin e “Referendumit” si zëvendësim për zgjedhjet, duke nënkuptuar kështu se ky referendum nuk do të kalonte nëse do të merrte më pak se 50 për qind të votave.
Çka u arrit në votat me kusht?
VV pati përparim në rezultatin e përgjithshëm nga votat me kusht. Nëse nga rezultatet e votave të rregullta i kishte 47,85 për qind prej 791 mijë e 142 votuesve, ajo u rrit për 0,9 për qind në bazë të votave me kusht, shkruan Periskopi.

Tashmë, kjo parti politike i ka 47,94 për qind të votave të përgjithshme të numëruara.
Numri i votuesve të numëruar – të rregullt dhe parregullt – është plot 820 mijë e 632. Ndërkohë që Vetëvendosje ka marrë 393 mijë e 489.
A mund të arrihet 50 përqindëshi, ose i ashtuquajturi Referendum?
Do të numërohen edhe 56 mijë e 610 fletëvotime me postë. Nëse të gjitha këto janë fletëvotime të vlefshme, e bën numrin e votuesve plot 877,242.
Nëse ky është numri i përgjithshëm i votuesve që morën pjesë në zgjedhjet e 14 shkurtit, atëherë del se Vetëvendosje duhet t’i ketë 438 mijë e 621 vota.

Pra, nga 56 mijë e 610 fletëvotime – edhe nëse të gjitha janë të vlefshme – Vetëvendosje duhet t’i marrë 45 mijë e 132.
Vetëvendosje kësisoj duhet t’i fitojë rreth 80 për qind të votave me postë (79,72%) që të arrijë shifrën e 50 përqindëshin.

