Sulmet, dhuna e rrahjet nga zyrtarët e Policisë po dëmtojnë imazhin dhe kredibilitetin si dhe po ngjallin pasiguri te qytetarët
Rastet e fundit, të shumta e të vazhdueshme të ushtrimit të dhunës fizike dhe psikike ndaj qytetarëve të vendit janë duke u kryer nga disa pjesëtarë të Policisë së Kosovës (PK) të cilët kohëve të fundit janë raportuar nga qytetarët edhe përmes video-incizimeve e nga mediat në vend po vlerësohen se janë duke e dëmtuar imazhin dhe kredibilitetin e PK-së, si dhe po ngjallin pasiguri te qytetarët.
Ka disa muaj që në media janë raportuar për dhunë e forcë të madhe të përdorur nga disa pjesëtarë të Policisë së Kosovës, ani pse ky institucion ka gëzuar besim të madh te qytetarët edhe në hulumtime të ndryshme të bëra deri tash në vend.
Por, Shpat Balaj nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) ka thënë se dhuna e panevojshme e zyrtarëve policor përveç që dëmton dukshëm imazhin dhe kredibilitetin e PK-së, ngjall pasiguri te qytetarët dhe ndikon në distancimin e tyre me këtë institucion.
Balaj në një prononcim për Telegrafin tha se rastet e tilla jo vetëm që tregojnë për jo-kompetencë të disa zyrtarëve policor dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare, por tregojnë edhe për shkelje flagrante të të drejtave të njeriut.
“Dhuna e panevojshme e zyrtarëve policor përveç që dëmton dukshëm imazhin dhe kredibilitetin e PK-së, ngjall pasiguri te qytetarët dhe ndikon në distancimin e tyre me këtë institucion. Edhe pse PK vazhdimisht ka tentuar ta zhvilloj dhe aplikoj policimin në komunitet/bashkësi, ngjarjet e fundit të dhunës nga ana e zyrtarëve policore e komplikojnë edhe më shumë zhvillimin e këtij parimi – e kjo bëhet aq më keq kur po kalojmë në një periudhë që afërsia e institucioneve me qytetarët është edhe më shumë e nevojshme për të mbrojt shëndetin publik dhe sigurinë e qytetarëve. Fatkeqësisht, disa prej rasteve që kohët e fundit kanë dal në publik jo vetëm që tregojnë për jo-kompetencë të disa zyrtarëve policor dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare, por tregojnë edhe për shkelje flagrante të të drejtave të njeriut”, ka thënë Balaj.
Sipas tij, është shqetësuese që rastet e dhunës të cilat janë bërë në vitet e kaluara, ndërsa publikimi tyre është bërë shumë më vonë.
“Ajo që vërehet nga rastet e fundit është që disa prej tyre kanë ndodhur viteve të kaluara ndërsa tash veç se janë bo publike. Ky është fakti i parë shqetësues sepse tregon që potencialisht dhuna dhe qasja totalisht e dëmshme, jo-etike dhe jo-ligjore ka qenë sistematike për zyrtarë të caktuar policor”, tha Balaj, duke shtuar se aspekti tjetër negativ është fakti që disa prej zyrtarëve policor që kanë ushtruar dhunë ndaj qytetarëve kanë marrë masa disiplinore më herët. “Megjithatë, përveç që e kanë vazhduar punën normalisht pas një periudhe të caktuar, ata kanë aplikuar të njëjtën qasje në ushtrimin e detyrave të tyre edhe pas sanksionimit fillestar”.
Kjo siç theksoi ai tregon që disa prej masave të ndërmarra nga Policia e Kosovës ose institucionet tjera mbikëqyrëse nuk kanë treguar efektin e tyre dhe potencialisht nuk po shërbejnë për reflektimin e nevojshëm brenda PK-së.
“Rrjedhimisht, këto janë indikatorë që PK duhet me i rishqyrtu procedurat e brendshme disiplinore dhe me i fuqizu tutje mekanizmat e kontrollit të brendshëm”, u shpreh Balaj.
Ai po ashtu theksoi se një aspekt tjetër që ka dal në pah nga rastet e fundit është përgatitja jo adekuate e disa prej zyrtarëve policor.
“Nëse 3-4 zyrtarë policor nuk kanë mundësi të neutralizojnë një të re/ri kur ata ndihen të kërcënuar pa pasur nevojë me i përdor mjetet e tyre si spreji, ose nëse reagojnë me agresivitet ndaj një ofendimi (jo sulmi!) nga qytetarë të revoltuar, atëherë ndoshta kemi të bëjmë me zyrtarë të papërgatitur dhe të paaftë me i ushtru detyrat e tyre bazike. Ndonëse ekzistojnë mekanizma të ndryshëm që kanë përgjegjësi për adresimin e shkeljeve të zyrtarëve policor, rastet e fundit e kanë vënë në pikëpyetje efikasitetin e tyre”, vlerësoi ai.
Balaj nga QKSS-ja ndër të tjera tha se edhe pse kohëve të fundit është parë një aktivitet i lartë i Policisë dhe Prokurorisë për hetimin dhe arrestimin e zyrtarëve policor që kanë kryer vepra të ndryshme penale, praktikat e viteve të kaluara tregojnë që finalizimi i këtyre rasteve lë për të dëshiruar.