Testamenti i Princit Philip, bashkëshortit të ndjerë të mbretëreshës Elizabeth, do të mbetet sekret për të paktën 90 vite, për të ruajtur dinjitetin dhe pozitën e monarkes. Kështu ka vendosur Gjykata e Lartë e Londrës.
Në përputhje me një konventë që daton në vitin 1910, gjykatësi Andrew McFarlane tha se kishte rënë dakord që testamenti të vulosej dhe se asnjë kopje nuk duhet të mbahej për regjistrim ose në gjykatë.
Kjo do të thotë që, ndryshe nga shumica e testamenteve, testamenti i princit Philip nuk do të jetë i hapur për inspektim publik. Sipas gjykatësit, shkalla e publicitetit që botimi ka të ngjarë të tërheqë do të ishte shumë e gjerë dhe tërësisht në kundërshtim me qëllimin e ruajtjes së dinjitetit.
Princi Philip ka ndërruar jetë në moshën 99-vjeçare, në Kështjellën e Windsor-it, në perëndim të Londrës më 9 prill.