LAJME

Zbulohet/ Ja ku ka qenë Rexhepi në ditën kur nuk votoi kundër Qeverisë?!

Pasi për disa orë askush nuk e dinte se ku është dhe pse nuk shkoi në Kuvend për të votuar rrëzimin e Qeverisë, deputeti Kastriot Rexhepi, kur sqaroi situatën, mes tjerash pati thënë se me vullnetin e tij, bashkë me familjen, ka qenë tek një mik, e kjo për t’u mbrojtur nga publiciteti në lidhje me seancën kuvendore.

Po tek cili mik ishte Kastriot Rexhepi?

TV21 nga burime brenda socialdemokratëve mëson se atë ditë dhe për 2 a 3 ditët në vijim, deputetit Rexhepi dhe familjes së tij, konak i ka bërë një anëtar i lartë i LSDM-së, i cili edhe e ka bindur që të mos votojë për rrëzimin e qeverisë “Zaev 2” për hir të eurointegrimeve dhe stabilitetit të vendit.

“BDI nuk ka pasur gisht në bindjen e Rexhepit për mosvotimin për rrëzimin e Qeverisë”, i tha TV21 një zyrtar i lartë i LSDM-së. Po i njëjti shpjegon se nikoqiri që ka pritur Rexhepin në shtëpinë e tij e ka këshilluar deputetin që situatën ta shpjegojë përmes një statusi në Facebook, siç edhe ka bërë, e më pas, kur gjendja u bë më e turbullt edhe për të publikuar video-mesazhin me shpjegimet për mosshkuarjen në Kuvend. Nga kjo nënkuptohet se videon e publikuar në rrjetin social, Rexhepi e ka bërë nga shtëpia e mikut të tij socialdemokrat.

TV21 u përpoq që këto t’i konfirmojë edhe nga deputeti Rexhepi, por ishte i pakapshëm në telefon.