Më 14 shkurt Vetëvendosja 2021 doli fituese e zgjedhjeve parlamentare në Kosovë.
Ajo la prapa partitë politike të cilat me vite të tëra qeverisën me vendin. Derisa më 22 mars Qeveria Kurti mbush një vit qeverisje. Ajo si qeveri është ballafaquar me sfida të mëdha.
Lidhur me këtë profesori Sulejman Mehazi në një përgjigje për “Bota sot” thotë se fitorja e Vetëvendosjes e ndaloi hovin e shkëmbimeve të territoreve me Serbinë, idenë e rrezikshme të pushtetit ekzekutiv të asociacionit sipas dëshirave politike serbe të nënshkruar në Bruksel më 2013 e 2015.
“Fitorja e 14 shkurtit e Vetëvendosjes ngulfati disa dilema politike të rrezikshme: ndaloi hovin e shkëmbimeve të territoreve me Serbinë, ndaloi idenë e rrezikshme të pushtetit të asociacionit serb sipas dëshirave politike serbe, të nënshkruara në Bruksel më 2013 e 2015; ndaloi zhvatjen e partive paraprake në pushtet, të cilat pamëshirshëm e plaçkitën Kosovën”, thotë ai.
Sa i përket ekonomisë, Mehazi thotë se nuk ka bërë shumë ndryshime, mirëpo politikisht ka bërë lëvizje të shkëlqyeshme.
“Qeverisja njëvjeçare e Lëvizjes Vetëvendosje ekonomikisht nuk ka bërë shumë ndryshime, por politikisht ka bërë mjaft lëvizje të shkëlqyeshme ndaj dialogut me Serbinë. Ardhja e Albin Kurtit ka eliminuar nga fjalori politik “shkëmbimin e territoreve” dhe asociacionin serb, sipas tekeve të presidentit të Serbisë Vuçiq, po ashtu tagrat e veturave serbe nuk mund të hyjnë lirshëm si me qeveritë paraprake në kufij të Kosovës, kufiri i Kosovës për kamionët, autobusët e veturat serbe ka shenjën e “stop-it” kufitar; qeveria e Albin Kurtit ndaloi referendumin e Serbisë në Kosovë. Diplomacia politike, Vetëvendosja ia ka dhuruar atë aromën e shtetësisë së Republikës së Kosovës, ia ka dhënë autoritetin kushtetues dhe s’është inferiore ndaj Serbisë, por edhe ndaj BE-së e SHBA-së”, deklaron ai.
Në fund Mehazi shton se, me fitoren e Kurtit u eliminuan milionerët politikë si Mustafa, Veliu, Haradinaj, Haziri etj, të cilët u pasuruan shumë.
“Pastaj fitorja e partisë së Albin Kurtit i eliminoi milionerët politikë, të cilët u pasuruan shumë: Isa Mustafën, Agim Veliun, Selmanajn, Hazirin, Ramush Haradinaj etj., të cilët politikisht më shumë luftonin për ta eliminuar Kurtin sesa ta mbronin Kosovën nga asociacioni ekzekutiv serb. Jo më shumë, por Vetëvendosja e Albin Kurtit e shpëtoi Kosovën nga gllabëruesit politikë që për interesat e tyre ishin në gjendje t’ia shesin Serbisë tokat e Kosovës vetëm se ata të pasurohen, mjafton që kryeministri, Albin Kurti ua ndaloi tagjinë korruptive jo vetëm milionerëve politikë të Kosovës, por edhe tagjinë e asociacioneve serbe dhe tagrave të veturave serbe në Kosovë”, përfundon Mehazi.