Në bisedën e tyre që zgjati mbi 30 minuta, presidenti amerikan Joe Biden dhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky diskutuan “mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara për Ukrainën ndërsa ajo mbrohet nga agresioni rus”, sipas një njoftimi nga Shtëpia e Bardhë.

Biden, sipas Shtëpisë së Bardhë “theksoi ndihmën e qëndrueshme të Shteteve të Bashkuara për Ukrainën, duke përfshirë dërgesat e vazhdueshme të ndihmës për sigurinë, mbështetjen ekonomike dhe ndihmën humanitare”.

Të dy udhëheqësit diskutuan përpjekjet e SHBA-së dhe aleatëve për ta mbajtur Rusinë përgjegjëse, duke përfshirë sanksionet, thuhet në raport.

Ata diskutuan gjithashtu një përshkallëzim të sulmeve të martën, duke përfshirë një pranë një memoriali të Holokaustit.

“Udhëheqësit diskutuan përshkallëzimin e sulmeve të Rusisë në vendet e përdorura nga civilët në Ukrainë, duke përfshirë bombardimin e sotëm pranë memorialit të Holokaustit Babyn Yar”, sipas Shtëpisë së Bardhë. /Lajmi.net/

By atdheu1