Çitaku: Qeveria Kurti nuk e ka asnjë meritë për marrëveshjen me MCC-në, vetëm e ka devijuar procesin
Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka thënë se për marrëveshjen e nënshkruar me MCC-në, Qeveria Kurti nuk e ka asnjë meritë.
Në fakt, sipas saj, kjo qeveri vetëm e ka devijuar procesin “nga gazsjellësi në bateri”.
“Në ceremoninë për nënshkrimin e marrëveshjes me MCC, marrëveshje për të cilën kjo qeveri nuk ka asnjë meritë, në fakt vetëm e ka devijuar procesin nga gazsjellësi në bateri, Kryeministri Kurti paska zgjedhur të thumbojë opozitën”, ka shkruar Çitaku në Facebook.
“Po ju them, me kompetencë, nikoqirët e ceremonisë i keni vu në siklet”.
Duke iu drejtuar Kurtit tha se në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ai përfaqëson shtetin e Kosovës dhe jo partinë të cilën e udhëheqë, Lëvizjen Vetëvendosje.
“Kryeministër, në SHBA e përfaqëson Kosovën, jo VV-në. Kur nënshkruan marrëveshje nënshkruan në emër të Kosovës, jo në emër të partisë. Koncepti parti-shtet është fundosur në Evropë, falë SHBA-së”, ka përfunduar ajo.
Kosova dhe MCC kanë nënshkruar në Washington Programin e ri Kompakt, i cili pritet të forcojë pavarësinë energjetike të Kosovës dhe në të njëjtën kohë t’i kursejë shtetit miliona euro në vit.
Kjo marrëveshje pritet që sot të ratifikohet në Kuvendin e Kosovës. /Telegrafi/