Kryetarja e Komisionit për Integrime Evropiane, deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Rrezarta Krasniqi në një intervistë për Telegrafin ka folur për punën e komisionit të cilin ajo e drejton, procesin e integrimit të Kosovës në Evropë, liberalizimin e vizave dhe për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Krasniqi ka kritikuar Qeverinë e Kosovës, duke thënë se ka kthyer prapa procese dhe se ka pasur ngecje në fushën e integrimit evropian.

“Për fat të keq prej se ka ardh në pushtet kjo Qeveri, Kosova është kthyer mbrapa në shumë gjëra sepse ka pasur stagnim e në vend që të ketë avancim sidomos në procesin e integrimit evropian, ne si komision jemi munduar dhe po mundohemi që të punojmë në lidhje me çështjen e integrimit evropian mirëpo kemi ngecje të ekzekutivit”, u shpreh Krasniqi.

Deputetja e LDK-së, ka kritikuar edhe ministren e Punëve të Jashtme e Diasporës, Donika Gërvallën, për shkak të mos-raportimit të saj në Komisionin për Integrime Evropiane.

“Duke pasur parasysh se puna e Komisionit për Integrim Evropian është mbikëqyrja e ekzekutivit, sepse ka dy dokumentacione bazë që janë raporti për zbatimin e MSA-së dhe agjenda apo reforma evropiane dhe të gjitha reformat që dalin nga ato dy dokumente duhet të implementohen nga ekzekutivi. Ministrja e Punëve të Jashtme pas konfirmimit dy herë të pjesëmarrjes në Komision i anulon takimet, ndërsa hera e tretë kishte edhe një tryezë të përbashkët me ambasadoren e Francës dhe ambasadorin e zyrës së BE-së që prapë pas konfirmimit e anuloi takimin”, u shpreh Krasniqi.

Sipas saj, është duke ngecur puna edhe e Komisionit për shkak të mungesës së informacioneve që lidhen me punën e MPJD-së.

“Ne kemi mungesë të shumë informacioneve që kanë të bëjnë me Ministrinë e Punëve të Jashtme, e po ashtu e kemi lutur të vij edhe pa praninë e medieve vetëm që të mos mungojë, por arsyeja gjithmonë ka qenë se një ditë para takimit e ka anuluar se i kanë dalë takime urgjente”, tha Krasniqi.

Kryetarja e Komisionit për Integrime Evropiane, Rrezarta Krasniqi gjatë intervistës për Telegrafin

Krasniqi foli edhe për çështjen e liberalizimit të vizave.

Sipas saj, megjithëse kjo gjë nuk varet më nga Kosova, dhe se janë plotësuar kriteret për liberalizim, Qeveria e Kosovës duhet të lobojë që shtetet që nuk e kanë njohur, ta njohin Kosovën.

“Ne si Komision jemi duke punuar shumë në këtë proces por kjo nuk varet edhe krejt prej komisionit. Kjo punë tash është në duart e BE-së, për arsye se edhe vet Komisioni Evropian ka vlerësuar se Kosova i ka plotësuar kushtet për liberalizimin e vizave, por institucionet tona nuk duhet të rrinë në gjumë siç janë duke ndejtë tani, edhe pas plotësimit të kritereve të liberalizimit të vizave por duhet të bëhet punë më shumë. Ekzekutivi duhet të lobojë përmes shteteve që na njohin, te ato shtete që nuk na njohin në mënyrë që të mos ngecim në këtë proces sepse jemi populli më pro-perëndimor që mbahemi të izoluar qe sa vite”, shprehet deputetja e LDK-së.

Kritika drejt Qeverisë së Kosovës, Krasniqi pati edhe për çështjen e anëtarësimit në organizata ndërkombëtare.

Kryetarja e Komisionit për Integrime Evropiane, Rrezarta Krasniqi gjatë intervistës për Telegrafin

Ajo tha se deri më tani nuk kanë parë asnjë strategji nga Qeveria e Kosovës në lidhje me aplikimin në organizata ndërkombëtare.

“Pas përfundimit të moratoriumit më 4 shtator, unë si kryetare e Komisionit për Integrim Evropian çdo herë nëpër debate, nëpër media kam thënë që duhet të aplikohet për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, sepse me aplikim në organizata ndërkombëtare Kosova bëhet më faktor në arenën ndërkombëtare, mirëpo nga kjo qeveri nuk kemi parë as strategji e as platformë në lidhje me aplikim në organizata”, thekson Krasniqi.

Kryetarja e Komisionit për Integrime Evropiane ka kërkuar edhe njëherë publikisht nga ministrja Gërvalla që të raportoj në këtë komision.

Teksa nga Qeveria e Kosovës ka kërkuar platformë për procesin e dialogut, liberalizimin e vizave dhe integrim evropian.

“Unë kam një kërkesë që ministrja të vjen dhe të raporton në Komisionin për Integrim Evropian, sepse është obligim i ministres, gjithashtu e lus ekzekutivin, kryeministrin të përgatis një platformë apo strategji që ka të bëjë me çështjen e liberalizimit të vizave dhe integrimit dhe për procesin e dialogut”, kërkoi në fund, deputetja Krasniqi. /Telegrafi/

By admin