Nistori ekskluzivisht ka siguruar fotografi nga vendi i ngjarjes ku mësohet se i dënuari me burg të përjetshëm, Rexhail Qerimi ndërroi jetë më 27 janar. Fotografia vërteton konstatimet e raportit mjekësorë dhe atij të Avokatit të Popullit se Qerimi si pasojë e përkeqësimit të gjendjes shëndetësore gjatë kohës sa ka qenë në banjën e qelisë, ka humbur vetëdijen dhe ka goditur me kokë lavamanin e banjës.
“Mbrëmjen e 26 janarit rreth orës 23:40 minuta i dënuari Rexhail Qerimi ka qenë i vetëm në qelinë në të cilën vuante dënimin, ku gjatë një dushi i është përkeqësuar gjendja dhe ka rënë në lavaman (banja gjendet në qelinë e njëjtë ku ka qenë i sistemuar me të burgosurit e tjerë). Të burgosurit e tjerë nga e njëjta qeli, të alarmuar nga zhurma e zëshme si pasojë e thyerjes së lavamanit, janë futur në qeli dhe e kanë gjetur të ndjerin në banjën e qelisë, të shtrirë në tokë dhe pa ndjenja. Ka qenë i lënduar në pjesë e parme të kokës nga ana e djathtë dhe ka pasur gjakderdhje. Në atë moment kanë njoftuar përgjegjësit e burgut”, thuhet në raportin e Avokatit të Popullit.
Në raport thuhet se ndihma e parë i është ofruar në burg, ndërsa me veturën e burgut është nisur për në spitalin më të afërt. Gjatë rrugës janë takuar me ambulancën, kur edhe i është konstatuar vdekja.
“Në orën 23:45 minuta është thirrur ndihma e shpejtë. Për shkak të përkeqësimit serioz të gjendjes shëndetësore ai është dërguar me veturën zyrtare të shtëpisë ndëshkuese, me qëllim dorëzimin e tij sa më shpejtë në spitalin më afërt, në ndërkohë ishin njoftuar edhe ndihma e shpejtë. Ishin marrë vesh që të takohen në rrugë dhe ta marrin të dënuarin për kurim të mëtejmë. Në orën 00:05 minuta janë takuar në lagjen Goce Dellçev dhe pas raanimacioneve të pasuksesshme nga ana e ekipit mjekësor të ndihmë së shpejtë në orën 00:10 minuta i është konstatuar vdekja”.
Dy orë më vonë Prokurori kujdestarë i cili ka dalë në vendin e ngjarjes ka konstatuar se nuk ka nevojë për autopsi. Konstatimi i tij është bazuar edhe në kërkesën e familjes Qerimi.
“Rreth orës 02:15 minuta Prokurori Publik kujdestar ka informuar se nuk ka nevojë për hetim për shkak se nuk ka dyshime se vdekja mund të jetë shkaktuar si rezultat i faktorit njeri, për çka edhe ka vendosur të mos bëhet autopsi e trupit, duke dhënë urdhër që vetura zyrtare ta kthen trupin e pajetë në burg dhe nga aty në dorëzohet tek morgu në Butel”.
Gjatë ditës, sipas raportit Qerimi ishte ankuar për kokë dhembje dhe tension të lartë të gjakut (150-90), ndërsa nga ana e mjekut kujdestarë i ishte caktuar terapi mjekësore (Niflam dhe Lasix, Enap dhe terapi të rregullt Cafetin).
Paraprakisht Rexhail Qerimi kishte kërkuar edhe në vitin 2015 ndihmë mjekësorë për shkak të për përkeqësimit të gjendjes shëndetësore, për të cilën kishte kërkuar kurim spitalor. I njëjti kurim nuk i ishte rekomanduar nga ana e mjekut specialist-neurolog. ”. Qerimi ishte arrestuar në vitin 2008 si i dyshuar për vrasjen e një polici dhe plagosjen e dy të tjerëve, pjesëtarë të njësitit policorë “Alfa” në nëntor të vitit 2008 në parkingun e Fakultetit matematiko-natyror në Shkup. Një dekadë pas vendimit gjyqësorë për ta dënuar Rexhail Qerimi dhe Agim Islamin më burg të përjetshëm, video incizimi i cili ishte prova më e fortë në akuzën e cila i ngarkohej, doli në opinion. Ndonëse Prokuroria Publike, Byroja për ekspertizë ligjore dhe Ministria e Brendshme kishin deklaruar se nuk posedojnë mundësi për zbardhjen e video incizimit, organi akuzës asnjëherë nuk u shpjegua se si Qerimi dhe Islami u identifikuan si autorë të veprës dhe u dënuan me burg të përjetshëm derisa video incizimi nuk ishte zbardhur në faza fotogrametike dhe antropologjike.