LAJME

Fshati shqiptar që çdo shtëpi ka Golf 2 (VIDEO)

Se kosovarët janë të pasionuar pas Golf II e tregon më së miri fshati Rencë.

Ky fshat me emrin karakteristik, njihet edhe si fshati i Golf II-shit. Rreth 50 familje në këtë fshat vazhdojnë ta kenë nga një veturë të këtij lloji në shtëpitë e tyre.

Si frymon “Fshati i Golf 2-shit”

Kjo zonë njihet edhe për bukuritë e veta natyrore. Qetësia që e gjeni në zonën e Opojës, ju bën të ndjeheni në liri të plotë. Rruga deri tek ky fshat i ka vështirësitë e veta por kur të kesh hyrë brenda, takon njerëz, të cilët përkundër moshës, nuk ndalen, ani pse jeta për ta ka qenë me shumë sfida.

Refik Skelaj nga ky fshat thotë se një ndër faktorët që i ka shtyrë shumicën e banorëve të kenë Golf II është edhe rruga dhe kushtet atmosferike gjatë stinës së dimrit.

“Në këtë fshat ka shumë ‘Golf dysha’. Diku mbi 50 sish besoj që janë. Shumica e shtëpive e kanë nga një por ka që i kanë edhe nga dy Golf II-sha. Edhe pse unë personalisht kam kaluar nga Golf II në IV”, tregon Skelaj për albinfo.ch. Ai tutje shton se në këtë anë dimri është stinë e fortë dhe vetëm Golfi II mund tu bëjë ballë vështirësive që paraqiten gjatë asaj kohe në rrugë.

Skelaj thotë se arsyeja kryesore që ata e mbajnë këtë veturë është rruga, pasi makina gjermane njihet për fuqinë që ka.

Ndërsa Zyber Gerdellaj thotë se Golf II-shi është veturë edhe ekonomike. “Unë e kam një Golf II qe pesë vite. Golf II-shi është veturë ekonomike. Po ashtu i ka pjesët shumë të lira”, thotë Zyberi.

Kosovarët, të lidhur me veturat Golf

Një ditë e punës është shumë e ngarkuar për trafikun në kryeqytetin e Kosovës, por që nuk dallon shumë as në qytetet e tjera. Megjithëse veturat të cilat qarkullojnë në rrugët e Kosovës janë nga më të ndryshmet, ato që vijnë nga familja e Volkswagen-it, mbesin më të preferuarat për kosovarët. Dikur kishin qenë Golf 2-sh, më pas 4-sh, e tani sipas njohësve, vetura e tipit Golf 6 është ndër automjetet që shihet shumë nëpër rrugët e Kosovës.

Shpejtim Slishani i cili merret me shitblerje të veturave thotë se e Golf 6 është mjaft i kërkuar nga shoferët. Slishani tregon se interesimi për këtë makinë është për shkak të përparësive të shumta, duke filluar nga kostoja e blerjes dhe pastaj edhe e mirëmbajtjes pasi që pjesët e tij gjenden e zëvendësohen më lehtë në Kosovë.

Ja rrëfimi i banorëve:
https://fb.watch/a_0Ve7mgqi/