Gjatë një telekonference për media me gazetarët dhe qytetarët, Rama tha se nuk ka pse “i ndan” dy futbollistët të cilët janë qytetarë të denjë zviceranë, pasi në këtë mënyrë do t’i përdorte ata për politikë, duke u fryrë zjarrit nacionalist ballkanik.
Xhaka mund të sanksionohet nga FIFA pasi festoi fitoren e Zvicrës që skualifikoi Serbinë nga Kupa e Botës, duke veshur fanellën e shokut të ekipit Ardon Jashari, çka u konsiderua si provokim për serbët, për shkak të mbiemrit Jashari që e lidhën me heroin e Kosovës Adem Jashari.
Pyetje: Dy futbollistët shqiptarë pritet të sanksionohen pas ndeshjes. Pse keni heshtur këtë herë për Shaqirin dhe Xhakën?
Rama: Nuk e kuptoj pse duhet të flisja, nuk jam kryeministër i Zvicrës, jam kryeministër i Shqipërisë. Nëse do të ndaja dy futbollistë me origjinë shqiptare që ne i shohim me admirim, çfarë do të bëja? Do t’i përdorja ata futbollistë për politikë. Dhe do t’i fryja zjarrit të një nacionalizmi qesharak, por edhe të rrezikshëm. Nuk është e nevojshme dhe kush e bën këtë nuk bën gjënë e duhur. E kam dëgjuar si koment dhe është vërtet për të ardhur keq. Si mund të shkëputen nga skuadra e tyre dy qytetarë të atij shteti, dhe të përdoren si mish për top për lloj luftash ballkanike. Sa i përket sanksioneve, ato janë çështje të politikave të FIFA, që është tejet strikte për moscënimin e kuadrit sportiv nga çdo lloj politike. Janë rregulla të cilat kush merret me futboll i ka pranuar.