LAJME

Kafiteritë kanë një paralajmërim për qytetarët

Shoqata e Gastronomeve të Kosovës dhe Oda e Hotelerisë, kanë paralajmëruar ngritjen e çmimit të shërbimeve në gastronomi për shkak të ngritjes së çmimeve të produkteve të furnizimit. Këto shoqata kërkojnë që TVSh-ja të jetë 8 për qind, në mënyrë që të dalin nga kriza në të cilën ndodhen.

Kosova ditëve të fundit është përballur me rritje të çmimeve. Së fundi gastronomia dhe hoteleria pritet t’i rrisin çmimet, nëse nuk do të kenë mbështetje të institucioneve.

Kryetari i Odës së Hotelerisë, Hysen Sogojeva, thotë për Radio Kosovën se ka shtrenjtim të produkteve të ndryshme dhe për këtë edhe hoteleria është e detyruar t’i ngritë çmimet për shërbimet e ofruara nga ky sektor.

“E para është që Qeveria e Kosovës duhet ta ulë TVSH-në, ta kthejë në gjendje 8 për qind, e dyta le ta heqë akcizën e naftës, sepse gjithçka është e lidhur me këtë. Qeveria duhet të gjejë modele se si veprojnë shtetet e tjera që të mos vije deri te rritja e çmimeve drastike në hoteleri e gastronomi. Shërbimet nuk mund të punojnë më me ato që kanë qenë më herët para një muaji, sepse edhe gjatë COVID-it kategoritë tona kanë qenë më të atakuar dhe më të dëmtuarat”, tha ai.

Për qytetarët rritja edhe më tutje e çmimeve në gastronomi, do të jetë e papërballueshme. Edhe sot çmimet janë të larta, në krahasim me nivelin e pagave, thonë disa nga ta.

“Nuk i arsyetoj këto rritje, është e palogjikshme, rrogat i kemi shumë të vogla, unë punoj në punën e shtetit dhe rrogën e kam shumë të vogël. Çmimet janë shumë të larta edhe tash, edhe përderisa nuk i rrisin rrogat, as çmimet nuk duhet të ngritën. Është shumë e padrejtë. Çmimet janë shumë të larta, dhe nuk e di si do t’ia dalim nëse vazhdojnë të ngritën çmimet si deri tash”.

“Metro” është një lokal mjaft i frekuentuar në Prishtinë. Një nga menaxherët thotë se nuk kanë lëvizur çmimet ende, por la të kuptohej se një gjë e tillë mund të ndodhë.

“Kohën e fundit kemi ngritje diku deri në 40 për qind. Shumë vende kanë qira të larta dhe nuk mund ta përballojnë gjatë me këtë rritje të çmimeve. Ne jemi ende duke pritur me çmimet që kanë qenë, nëse vazhdon kështu ngritja, duhet edhe ne t’i rrisim çmimet. Me kalkulimet tona. sa paguajmë për materialin bazë, çmimet nuk i kemi të larta.”

Ndryshe, bazuar në të dhënat e ATK-së, në vitin 2019, ka pasur 8 mijë e 104 biznese të regjistruara, ndërsa në vitin 2021 janë mbyllur rreth 2 mijë biznese.