Sot u bënë 23 vjet nga Masakra e Reçakut. Edhe pse liderët e Serbisë, sidomos Ministri i Punëve të Brendshme, Aleksandar Vulin, vazhdimisht e mohon që forcat serbe e kanë kryer këtë krim të rëndë, ekzistojnë shumë fakte dhe plani i paramilitarëve serbë, për këtë krim që është ndër më të rëndit në Kosovë.
Demokracia.com ka siguruar dokumente që tregojnë planin e operacionit të serbëve për kryerjen e masakrës në këtë fshat.
Më 5 janar të vitit 1999, 10 ditë para masakrës së Reçakut, inteligjenca ushtarake serbe, kishte dhënë sinjale se mund të ndodhte një masakër si ajo e tregut të “Markmales” në Bosnje.
Përmes këtyre dokumenteve vërtetohet se shefi i armatës së III-të në Kosovë, Vladimir Llazareviq, ka qenë përgjegjës për masakrën e Reçakut. Disa muaj më vonë, ai ishte dekoruar me flamurin luftarak të klasit të parë.
Më 15 janar 1999, në fshatin Reçak u vranë dhe u masakruan barbarisht 45 shqiptarë të paarmatosur.
Plani për masakrën e Reçakut
Në orët e hershme të mëngjesit të datës 15 janar 1999, ashtu siç ishte planifikuar në Beograd, fshati Reçak u zgjua i rrethuar nga formacionet e policisë speciale, militare dhe paramilitare serbe të shoqëruar edhe me mjete të shumta të motorizuara.
Sipas dëshmitarëve që kanë mbijetuar krimin, aty rreth orës 6.30 minuta forcat serbe me artileri të rëndë kishin filluar të granatojnë fshatin prej vendeve të quajtura „Pishat“, „Gështenjat“, „Rrasa e Çallakut“ dhe nga „Çesta“ përmbi Reçak. Pas ndërprerjes së granatimeve, forcat kriminale serbe janë futur në fshat dhe kanë filluar bastisjet shtëpi për shtëpi.





