LAJME

Kim Mehmeti: Në parajsë nuk flitet shqip, sepse nuk ka mjaftueshëm shqiptarë?

Kim Mehmeti: Në parajsë nuk flitet shqip, sepse nuk ka mjaftueshëm shqiptarë!?

Nga Kim Mehmeti

Të gjitha fotografitë në atë album janë bardh e zi. Vetëm kopertinat e tij janë të kuqe, me një tufë lulesh në mes, kështu që të duket se kopertinat e shpërfaqin ngjyrën e kohëve kur ishin bërë fotografitë e shpresave dhe ëndrrave tona bardh e zi.

Dhe për çudi, në asnjë nga qindra fotografi në të, askush nuk është i buzëqeshur. Edhe natyrën në prapavijë e përshkon po i njëjti pikëllim si ai në fytyrat e të fotografuarve. Trishtim si i dal nga vorbulla e padukshme e freskisë së ajrit të pastër të kohëve kur shumë pak dinim se ç’jetë bënin ata matanë lumit, ata që flisnin ndryshe nga ne, të cilëve nuk ua kuptonim as gjuhën, as mënyrën si ëndërronin e dëshironin.

Më ndodh shpesh që në ato fotografi, të mos shoh as fytyrat, as malet e fushat, por ta ndjej vetëm lagështin e mjegullës që ka mbuluar kujtimet e së shkuarës, e cila mjegull ngadalë largohet dhe i bënë të dukshme pamjet e largëta, kur këmbëzbathur qëndronim në breg të lumit, nga ku shikonim vendbanimet matanë, e ku jetonin ata që ndërronim e shpresonin ndryshe nga ne, të cilët rriteshim me bindjen se duhej të ishim rojtarë të kujdesshëm të ëndrrave tona, me vetëdijen se nëse do i tradhtonim ato, nëse nuk do i mirëmbanim, pra nëse do lejonim të binin në duart e atyre përtej lumit, ata do mund t’i përkthenin në gjuhën e vet, me çka ëndrrat tona do ngatërroheshin më ëndrrat e tyre dhe kështu, do bëheshin të pakuptueshme edhe për ne.

Në faqen e parë të atij albumi është një fotografi si e pakohë, ku shihem unë duke qëndruar në mes të urës, në pikën e cila e përcakton qartë kufirin mes botës së këtejme dhe asaj përtej lumit. Duke qenë i kthyer ka rrjedha e lumit, me shikim të drejtuar nga kufijtë e hutesës, nuk mund të përcaktohet saktë se drejtë cilit breg jam nisur.

Nuk e di pse, por ajo fotografi, nuk më rikujton ditën kur jam fotografuar, apo çkado qoftë tjetër, por ma ringjall kohën kur shtegtova në botën e përtejmë, atje ku, siç më tha im atë kur më përcolli deri te oborri i shkollës së mesme, fliteshin gjuhët të cilat t’i hapnin dyert e jetës. Gjuhë të cilat shumë shpejtë i mësova, por të cilat ia mbyllën dyert gjuhës së qumështit të nënës dhe, mua më shpërfaqën si rojtar të pakujdesshëm ndaj ëndrrave e shpresave në gjuhën e atyre që mbetën në bregun e fëmijërisë sime.

Pasi e kalova urën duke shtrënguar dorën e babait, dola matanë, në botën e atyre që nuk na kuptonin neve, e ku unë e kuptova se kot qe e kisha marr me vete gjuhën e nënës, ngaqë atë askush nuk e kuptonte dhe nuk kishte me cilin ta flisja. Dhe dalëngadalë, u mësova pa të, duke mos e hetuar se madje edhe nisa ta harroj dhe ta zëvendësoja me gjuhët që kishin më pak shkronja se gjuha që kishte erën e qumështit të nënës sime, erën lotëve të saj, lotët që kurrë nuk i harrove dhe në shkëlqimin e të cilëve prehej drita e syve të mi.

Po pra, sa herë që e shikoj atë fotografi, sërish, kush e din për të satën herë, më kalojnë nëpër imagjinatë vitet dhe dhjetëvjetëshit e Ish Jugosllavisë, kur ne shqiptarët e këtushëm, kishim dy zgjidhje: o të mbylleshim në kalanë e gjuhës sonë, që nuk e kuptonte e nuk e fliste shteti në të cilin jetonim, o të shkolloheshim në gjuhët që na sundonin. Pra kjo foto e shpërfaqte fëmijën e dikurshëm, i cili nuk e dinte se posa ta kalonte urën, do niste edhe jeta e jeniçerit, kur që të shpëtoje kujtimet për gjuhën e nënës, duhej që t’i mësoje gjuhët të cilat të mundësonin që si çdo jeniçer, pasi t’i shërbeje gjuhës së sunduesit, ta fitosh të drejtën të ëndërrosh në gjuhën e qumështit të nënës.

Duke u shpërngulur në botën tjetër, në atë që fliste në gjuhët që nuk i kuptoja, mu bë e qartë një marrëveshje mes burrave dhe grave shqiptare të atyre hapësirave dhe të atyre kohëve: që burrat të sillnin ushqim, e gratë të ruanin nderin, gjuhën dhe krenarinë tonë. Pra, neve burrave na ishte lejuar të bridhnim nëpër botën ku nuk flitej në gjuhën tone, duke e ditur se shqipen e ruanin nënat dhe motrat tona, të mbyllura mes mureve të lartë të avllisë, mes mureve që mbronin çdo gjë tonën.

Po pra, fotografia e vogëlushit në mes të urës, m’i rikujton vitet kur këngët e nënës sime më ishin dëshmi që edhe në parajsë këndohet e flitet shqip. Bindje të cilën edhe pse e mbaja fshehur në vetvete, im atë e kishte lexuar dhe andaj më thoshte: mos u vetëgënje, në parajsë nuk flitet shqip, sepse nuk ka mjaftueshëm shqiptarë. E numri i tyre është i vogël, ngaqë jemi e keqja e vetvetes, më thoshte ai.

Dhe qysh asokohe, nisa t’i besoj babës se ne shqiptarët jemi të paktë në parajsë, por doja t’I zbuloj arsyet pse. Edhe sot e kësaj dite nuk e di përgjigjen dhe herë- herë, më bëhet se si atëherë, si tani, ne më natyrshëm ndjehemi në ferr, aty ku bashkërisht vuajmë, se sa në parajsë, ku s’ka kujt t’i dhimbsemi.

Pra qysh asokohe nisa të besoj se këngët e nënës sime rrëfenin për atë që nuk dinim ta thoshim për vetveten, për atë që kurrë nuk arrita ta shpalos në shkrimet e mia, për atë se gjuha të cilën ajo ma mësoi i ngërthente në vetvete të pathënat për bukurinë dhe shëmtinë tonë kolektive, për barrën e rëndë të mbijetesës, për rëndesën që aq shumë i kishte lodhur burrat e rrethinës së Shkupit, sa ata shpeshherë nuk e ëndërronin gjithaq parajsën, edhe atë jo vetëm pse kishin frikë se aty nuk do kishin me kënd të flisnin shqip, por pse nuk i trembeshin ferrit, pse e dinin se çdo gjë në të do jetë si këtu, se edhe ferrin e atjeshëm e drejtojnë disa nga burrështetasit e këtushëm shqiptarë. (Kim Mehmeti, Pjesë nga dorëshkrimi, ‘Nga albumi i fotografive të largëta’)