Simboleve të Amerikës e NATO-s, në bazën ushtarake Bondsteel, iu shtua edhe një i ri.

Për 9 muaj aty do të valëvitet edhe flamuri i Virgjinias, ngaqë për kaq kohë ky shtet merr komandën e misionit të NATO-s në lindje, me bazë në Sojevë afër Ferizajt.

Ndërrimi i komandës u përcoll me ceremoni të madhe, e të tilla u tha se ishin edhe punët e shefit të deritashëm, Brew Hopkins.

Punën e tij e çmoi tejet shumë komandanti aktual i KFOR-it, Ferenc Kajari.

“Sapo arritët këtu, ju desh të ndërhyni për të shuar një numër të madh zjarresh, që ishte jashtë mundësive të autoriteteve lokale, në shtator aksioni për reciprocitetin e targave të automjeteve kërkoi po ashtu veprim të KFOR-it dhe komanda në Lindje u përfshi aty, si dhe aksionet e PK-së për kriptovalutat e mbajtën poashtu me punë këtë komandë.”

Ferenc Kajari ia shtoi fjalimit të tij edhe një këshillë.

Në javët e ardhshme ne duhet të jemi të gatshëm për çdo situatë më sfiduese, në atë mënyrë që të shfaqim profesionalizmin tonë, por të shmangim keqkuptimet dhe ta parandalojmë eskalimin.

Në ceremoni nuk u kursye, qëllimshëm, entuaziazmi kur komandantët ndërruan simbolet.

Emocionet e përcollën tutje ish komandantin Hopkins, i cili, kur foli për kosovarët, derdhi lot.

“Do të jeni gjithnjë ndryshimi, dhe gjithnjë do të keni një vend të veçantë në zemrat tona. Jeni të fuqishëm dhe të qëndrueshëm, sikurse NATO, një forcë aleate që po qëndron këtu sot. Faleminderit gjithsecilit…” – u shpreh Hopkins në fjalën përshëndetëse.

Si komanduese në Bondsteel, Virgjinia e pason Vermontin. Kjo i dha shtysë drejtuesit të ri të brigadës, Christopher Samulski, ta përmendë një fakt që ka të bëjë me historinë jo më të mirë mes këtyre dy shteteve.

“Gati 159 vjet më parë brigadat nga Virgjinia dhe Vermonti ndodheshin në një fushëbetejë, e luftuan njëri-tjetrin….por sot dy brigadat e ndajnë këtë fushë si vëllezër e motra armësh. Dhe kur mendoj për këtë histori, bindem se paqja është e qëndrueshme, siguria është diçka e arritshme, përmes punës dhe dialogut, dhe kjo më jep shpresë për të ardhmen e Kosovës dhe rajonit.”

Ndërrimi i komandës nënkupton edhe ndërrimin e afër 600 ushtarëve të rinj me të vjetër, të gjithë amerikanë.

By atdheu1