LAJME

Lista Guxo do të regjistrohet si parti politike, ja kush do ti prijë këtij subjekti

Lista Guxo gjatë muajit të ardhshëm do të regjistrohet si subjekt politik në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Këtë e ka konfirmuar, deputeti i Kuvendit të Kosovës, Haxhi Avdyli.

Ky i fundit nuk e ka zbuluar datën e saktë, por ka thënë se gjatë muajit shkurt do të ndodhë një gjë e tillë.

Pas regjistrimit si subjekt, ai ka thënë se do të konstituohet kryesia, dhe zgjidhet kryetari i Listës Guxo.

“Gjatë muajit ardhshëm bëhet regjistrimi, dhe fillojnë përgatitjet tjera për konstituimin e të gjitha organeve. Do të mbahet konventa, kryetari i ri, kryesia, degët dhe do të jetë proces i vazhdueshëm gjatë vitit 2022”, ka thënë Avdyli për Indeksonline.

Sa i përket funksionimit në Kuvend, ai ka thënë se i kanë vetëm pesë deputetë dhe se nuk mund të funksionojnë si grup i veçantë parlamentar.

Lista Guxo aktualisht drejtohet nga kryediplomatja kosovare, Donika Gërvalla.

Kjo Listë ishte krijuar nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani pas largimit nga Lidhja Demokratike e Kosovës.