Përfaqësues të organizatave joqeveritare në Serbi konfirmuan se në këtë vend kanë arritur refugjatët e parë nga Ukraina.
“Për momentin, ata janë njerëz që vijnë te të afërmit dhe miqtë. Po na pyesin se si dhe ku të regjistrohen dhe si të marrin mbrojtje”, tha për Radion Evropa e Lirë Radosh Gjuroviç, drejtor i Qendrës joqeveritare për Mbrojtjen dhe Ndihmën e Azilkërkuesve.Sipas të dhënave që disponon kjo qendër, në Serbi aktualisht ka vende për pritjen e rreth 6,000 personave, ndërsa kjo organizatë pret mbërritjen e mbi 10,000 refugjatëve nga Ukraina.
“Afërsia e Ukrainës kërkon që ne të fillojmë të përgatitemi për ardhjen e papritur të njerëzve. I bëjmë thirrje shtetit që të rrisë kapacitetin e tij të pritjes sa më shpejt që jetë e mundur”, tha Gjuroviç.
Sipas ligjeve aktuale, qytetarët e Ukrainës mund të qëndrojnë në Serbi për një muaj pa viza.
Megjithatë, tha Gjuroviç, kjo nuk e zgjidh problemin nëse paraqitet një numër i madh i refugjatëve që nuk kanë strehim.
Sipas tij, Serbia duhet të miratojë një akt për mbrojtjen e përkohshme të refugjatëve.
Serbia, ndryshe nga shumica e vendeve të Evropës, nuk i ka vendosur sanksione Rusisë, për shkak të pushtimit të paprovokuar të Ukrainës.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, ka thënë më 25 shkurt se Serbia nuk do të vendosë sanksione ndaj Rusisë për momentin, sepse ajo “udhëhiqet nga interesat e saj jetike, ekonomike dhe politike”.
Rusia është një ndër aleatet më të fuqishme të Serbisë në arenën ndërkombëtare.
Në disa konkluza të arritura në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të Serbisë, lidhur me luftën në Ukrainë, thuhet se Serbia i jep mbështetje të plotë integritetit territorial të Ukrainës dhe se e konsideron të gabuar shkeljen e integritetit territorial të këtij vendi.
Megjithatë, në këto konkluza, operacionet ruse nuk cilësohen si pushtim i Ukrainës, ashtu siç i përshkruan Perëndimi.
Kur ka dhënë urdhrin për pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt, presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka thënë se ka autorizuar “një operacion të posaçëm ushtarak” për të “çmilitarizuar” Ukrainën.
Paraprakisht, ai i ka shpallur të pavarura dy rajone separatiste në lindje të Ukrainës.
Në vitin 2014, Rusia ka aneksuar edhe Gadishullin ukrainas të Krimesë dhe ka nxitur lëvizjen separatiste në Ukrainën lindore.
Perëndimi i ka dënuar ashpër veprimet e Rusisë, duke i cilësuar si shkelje të sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës. /REL