Lëvizjet e një personi që kanë ngjallur dyshim të policia kanë hedhur në erë planin e një grupi për të grabitur një filial banke në Bulevardin Zogu I në Tiranë.

Fillimisht policia siguroi informacion përmes rrugëve operative mbi lëvizjet e grupit dhe më pas kanë vënë në vëzhgim vendin se ku ata vepronin duke konstatuar një person të dalë nga puseta pranë Ministrisë së Drejtësisë.

Ai ishte i kamufluar me veshjen e punonjësve të mirëmbajtjes. Teksa policia iu vu në ndjekje, ai hodhi në pusetë një armë pistoletë, që më pas u dërgua në laborator për të përfituar shenjat e gishtave.

Abcneës.al ka siguruar foto nga brenda tunelit ku grupi në fjalë punonte prej një muaji.

Hetuesit kanë dyshime se grupi i grabitësve kishin dijeni të plotë mbi planimetrinë se ku të nxirrte ky tunel, ndërsa kanë përfituar edhe nga zhurma që bëhej nga matrapiku për prishjen e një pallati aty pranë.

Objekt hetimi tashmë janë edhe disa punonjës të mirëmbajtjes së tuneleve nëntokësore apo elektricistë. Ata kanë pasur planimetrinë e zonës dhe dyshohet se kanë bashkëpunuar me grabitësit duke ua vënë atë në dispozicion.

Policia është duke kryer veprime që do t’i çojnë deri në identifikimin e autorëve. Ndërsa referimi në Prokurori është kryer për veprën penale “Vjedhja e bankave dhe arkave të kursimit” kryer në bashkëpunim.

By admin