,

“Për të tjerët është punë e turpshme”, fermeri në Fier siguron të ardhura nga mbledhja e ferrave: Begati për familjen

Posted by

Rrallëkush e di, që nën manaferra, që i gjejmë rrugëve rurale, qëndron një thesar i vërtetë të ardhurash: gjethet, nga shitja e të cilave mund të fitohet para.

Ai që ka guxuar t’i shndërrojë ferrat në të ardhura familjare, është një fermer nga fshati Mujalli i Fierit, Fredi Pirra.

Ekonominë e familjes së tij prej 6 vetash, e ka ngritur me të ardhurat që siguron nga shitja e gjetheve të ferrave dhe bimëve të tjera të egra, të cilat, sipas tij, përbëjnë bimë medicinale.

Fredi Pirra e nis punën çdo ditë në orën 6 dhe punon deri në orën 11.  Ferrat e prera i lë aty ku i gjen, grumbuj – grumbuj për 3 ditë deri sa të thahen.

“Sot mund të kem prerë të paktën 1 kuintal. Kjo sasi është një herë në dy ditë, varet nga volumi i ferrës. Këtu vijnë mjeti, makinat, që e marrin, tregtarët që e çojnë në Durrës. Kjo për tre ditë thahet, e lë në këtë vend, thahet këtu, rrihet këtu me mushama në vapë, sepse e ka si puna e fasules që e ka në vapë, në temperaturë të lartë. Gjatë beharit thahet për 2 ditë, në dimër jo. Ka problem me procesin e tharjes. Për rrahjen e ferrës duhet gjysmë dite”, tha Pirra.

Këtë punë, jo fort të lehtë, Fredi ka 5 vite që e bën.

“Këtë e kam punë të përditshme. Ferrën e gjejmë nëpër ugare, nëpër kanale. Tre ditë zgjat procesi tharjes nga dita që pritet; e pret e lë të thahet, e rreh dhe e fut nëpër thasë, e ambalazhon dhe e nis për në treg. Në javë mblidhen 10 thasë dhe sjell rreth 30 mijë lekë në javë”, tha ai.

“Nga Mbrostar Ferko deri në Mujalli, nuk e bënë asnjëri, vetëm unë, pothuaj edhe në zonën e Semanit”, shton Pirra.

Sipas tij, të tjerët nuk e bëjnë sepse është punë e turpshme.

“Sepse është punë e turpshme, kështu u duket këtyre. Unë kam tre muaj që punoj me ferrën, kam filluar që në qershor e deri tani”, tha Pirra.

Teksa vitet kalojnë duke u marrë me këtë punë, Fredi shton gamën e bimëve të egra medicinale që mbledh nëpër fshtatra dhe i shet tek grumbulluesit, duke siguruar kështu punë për gjithë vitin.

Ai thotë, se këto bimë janë shumë të kërkuara në botë, pasi janë natyrale, të egra pa kimikate.

Puna e ka mësuar Fredin të dijë edhe vlerën e këtyre bimëve të çmuara për shëndetin:

“Me sa kam dëgjuar unë, kjo përdoret kur sëmuret fëmija, zihet majat e ferrës nga barku dhe brenda 5 minutash e ka dhënë efektin, është shëruar. Kjo është 100%, se është me provë, Një fëmijë e ka zënë barku, merr 10 maja ferre, zieje, merri lëngun, jepja fëmijës dhe brenda 5 minutash është normal”, tha fermeri.

Në këtë sfidë me këtë punë të vështirë që ka zgjedhur të bëjë dhe që i siguron të ardhura të mira familjes së tij, ai vazhdon i qetë, pa asnjë konkurrent, çdo ditë të vitit, duke ndjekur me buzëqeshje “karshillëkun” e bashkëfshatarëve të tij që kërkojnë punë. /Abcnews.al/