Hamdi Jupolli, 62-vjeçar nga Prishtina, të dielën, më 27 shkurt, siguroi 100 kilogramë miell në një nga fabrikat e miellit në qytetin e Podujevës. Dhe, ai nuk ishte i vetmi.
“Në mulli ka pasur kolona të gjata të veturave që kanë pritur që të furnizohen me miell. Frikësohem edhe nga lufta, por edhe për shkak të mundësisë së mungesës së këtij produkti në treg dhe rritjes së çmimit”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.
Blerja dhe krijimi i rezervave të produkteve ushqimore është një dukuri që po manifeston frikën dhe panikun e krijuar te disa qytetarë të Kosovës pas nisjes së pushtimit të Ukrainës nga Rusia. Mielli duket se është produkti më i kërkuar. Vitrinat e disa dyqaneve ku shitet ky produkt, duken të zbrazura.
Jupolli, i cili punon në Agjencinë e Statistikave të Kosovës, pret që të ketë rritje të çmimit të produkteve për shkak të luftës midis Rusisë dhe Ukrainës.
Edhe Miradije Ukshini, mbi të 60-tat, e cila jeton me dy fëmijët e saj në një lagje të Prishtinës, thotë se ka blerë miell, vaj dhe sheqer si rezerva për një kohë më të gjatë.
“I kam blerë 25 kilogramë miell, 16 euro kanë kushtuar. Nuk e di sa ka qenë më herët, për shkak se vazhdimisht kam blerë vetëm nga 5 kilogramë. I kam rezervuar sepse po frikësohem nga lufta. E kemi përjetuar një herë dhe situata atje [në Ukrainë] ka ngjallur frikë. Edhe çmimi po thonë se do të rritet”, thotë Ukshini.
Ndërkaq Hazbija, me profesion kontabiliste, po pret që ta marrë pagën për këtë muaj, në mënyrë që të mund të blejë gjëra ushqimore që t’i ketë si rezerva.
“Nesër, më 1 mars, po shpresoj që të dal të blej dy thasë miell, vaj…disa gjëra tjera i kam siguruar. Po, do ketë rritje të çmimeve, por edhe lufta… po frikësohem shumë sepse Kosova nuk është anëtare e NATO-s”, thekson ajo.