Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka pretenduar se numri i mercenarëve nga Kosova dhe Shqipëria që po luftojnë në Ukrainë po shtohet.
“Po shohim gjithnjë e më shumë ardhjen e mercenarëve nga vendet e treta, në veçanti nga Shqipëria dhe Kroacia, militantë nga Kosova dhe madje edhe xhihadistë me përvojë luftarake siriane”, thuhet në deklaratën zyrtare të lëshuar nga Kremlini.
Këtë deklaratë presidenti rus e ka bërë gjatë telefonatës që e kishte me kancelarin gjerman, Olaf Scholz, ku sipas komunikatës, ka folur për rrezikun që vjen nga neonazistët në Ukrainë.
Rusia edhe më herët ka pasë pretendim që mercenarë nga Kosova dhe Shqipëria janë bërë pjesë e luftës në Ukrainë, gjë që ishte hedhur poshtë nga institucionet e sigurisë.
Në anën tjetër, kancelari gjerman i ka bërë thirrje presidentit rus që të ndalojë menjëherë të gjitha veprimet ushtarake dhe të lejojë qasje për ndihma humanitare në zonat ku po zhvillohen luftime njofton/klankosova.tv/