LAJME

Serbia dorëzohet përballë Albin Kurtit, PDK në sinkron me Aleksandër Vuçiqin

Përderisa i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, po qëndrojnë në Kosovë dhe tema kryesore ka qenë vazhdimi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, në shtetin serb po kërkohet largimi i Kurtit nga dialogu.

Së paku kështu ka nënkuptuar Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Nikola Selakoviq, i cili ka thënë se derisa Albin Kurti është në krye të qeverisë së Kosovës, mund të mos ketë dialog mes dy vendeve.

“Qëndrimi ynë dhe ajo që nuk ndryshon është se ne jemi gjithmonë të gatshëm të ulemi në tryezën e negociatave dhe të bisedojmë, por për neve është e qartë se për aq kohë sa Kurti është në Prishtinë, mund të mos ketë dialog, përderisa ai vendos”, është shprehur Selakoviq.

E analisti politik, Gani Qarri thotë se deklarata e Selakoviqit është e nxitur edhe nga qëndrimi i Partisë Demokratike të Kosovës, eksponentë të së cilës dolën publikisht pro ndarjes së Kosovës.

“Tradhtia ndaj popullit dhe shtetit të Kosovës, nuk ka brirë as pamje më të errët dhe shije më të hidhur, se sa mënyra e sjelljes dhe veprimit të eksponentëve të shitur të PDK-së tek Serbia, të cilët në momentet më delikate për vendin, marrin anën e Serbisë dhe dalin publikisht për ndarjen e Kosovës. Dalja e dy eksponentëve kryesor të PDK-së me idenë për ringjalljen e planit për ndarjen e Kosovës, jo vetëm që ka nxitur Serbinë që të paralajmëroj ndërprerjen e dialogut, por duket se eksponentë të shitur të kësaj partie, kanë marrëveshje të fshehtë me këtë shtet ish okupator të Kosovës, që Vuçiqi të mos e vazhdojë dialogun me Kurtin, me premtimin se sapo të kthehet PDK në pushtet, ashtu siç u ka premtuar kuislingu Thaçi, edhe PDK aktuale, do t`ia falë Veriun e Kosovës me pjesët më vitale të saj si Trepça e Ujmani, Serbisë hegjemoniste”, shprehet Qarri për “Bota sot”.Sipas tij, veprimi i eksponentëve të PDK-së, është akt tradhti ndaj shtetit të Kosovës.

“Këtë akt tradhtie dhe tepër bizar, PDK e ka sinjalizuar dhe dëshmuar konkretisht në vepër, me dy veprime të rënda renegate kundër Kosovës, e para duke mos e votuar rezolutën e Kuvendit për ndalimin e referendumit kundërkushtetues të Serbisë në Kosovë dhe e dyta, duke dalë publikisht mu në prag të vizitës së Eskobarit dhe Lajçakut në vendin tonë, me idenë e trishtë e tradhtare për ndarjen e Kosovës, nga Vlora Çitaku dhe Ramë Buja. Madje duke pasur parasysh avancimin e Serbisë në hapjen e kapitujve për integrim në BE, vetëm një arsye e fortë, si premtimi nga kryesia e PDK-së, për ndarjen e Kosovës, mund ta ketë shty Vuçiqin, që përmes ministrave të tij, të paralajmëroi ndalimin e dialogut, kur kihet parasysh fakti se dialogu dhe marrëveshja gjithëpërfshirëse me Kosovën, është kusht për integrimin e Serbisë në Bashkimin Evropian”, thekson Qarri.

Më tej, ai thotë se Serbia po kërkon rikthimin e PDK-së në pushtet, në mënyrë që ta realizojë ndarjen e Kosovës.

“Vet deklarimi i Selakoviqit se për aq kohë sa Kurti vendos në Kosovë, mund të mos ketë dialog, dëshmon katërçipërisht se Serbisë pikërisht në këto momente vendimtare, nga brenda Kosovës, eksplicit nga PDK, partia ideatore për ndarjen e Kosovës, mund ti ketë shkuar një premtim i fortë se me tu kthyer PDK në pushtet, do ta ndajë Kosovën dhe falë Serbisë atë pjesë territori të Kosovës, që kërkon. Ndaj kjo mund ta ketë bindur edhe ministrin e Punëve të Jashtme të Serbisë, Nikola Selakoviq, që mu në prag të vizitës së Eskobarit dhe Lajçakut në Kosovë, njëkohësisht dhe në sinkron të plotë me deklarimet e Vlora Çitakut e Ramë Bujës për ndarjen e Kosovës, të shprehet publikisht se përderisa në Kosovë të vendos Kurti mund të mos ketë Dialog, kur dihet se qeveria Kurti pothuajse, sa ka nisur ta Qeverisë Kosovën, ende nuk e ka plotësuar as vitin e parë në qeverisje dhe do ta udhëheqë vendin edhe për më tepër se tri vjet të tjera”, deklaron analisti politik, Gani Qarri për gazetën “Bota sot”.

Qarri hedh kritika të ashpra ndaj PDK-së, për të cilën thotë se në sinkron me Vuçiqin dhe ministrat e tij po e sulmojnë Kurtin.

“Pra e armatosur me daljen publike të eksponentëve të shitur të PDK-së, për ndarjen e Kosovës, të cilët mund të kenë marrë shuma të majme parash nga Serbia dhe qeveria e kriminelit Aleksandër Vuçiqi, ministrat e Serbisë kanë filluar të bëjnë presion në mënyrë gati të drejtpërdrejtë edhe ndaj z.Eskobar dhe Lajçakut, se nëse Qeveria aktuale me Kurtin në krye nuk pranon ndarjen e Kosovës, atëherë Serbia nuk ka pse t’i vazhdojë bisedimet me Kurtin, pasi që brenda për brenda Kosovës ka në krah të vetin partinë më të madhe opozitare, partinë kuislinge si PDK, e cila në sinkron me Vuçiqin, mbështet ndarjen e Republikës së Kosovës, sipas planeve të Serbisë”, shpjegon Qarri.

Ai thotë se kryeministri Kurti është shndërruar në arrë të fortë për Serbinë.

“Për aq më tepër, fatkeqësisht njerëzit e shitur të PDK-së te Serbia, të mësuar për mbi 20 vite me radhë, me pazaret dhe shitjen e tokave të Kosovës, në momentet më delikate, po lajmërohen vet, në mënyrë vullnetare, se do ta vazhdojnë avazin e kuislingut Thaçi dhe do t`ia plotësojnë edhe Serbisë dëshirën e saj të kamotshme për ndarjen e Kosovës. Prandaj, duke parë se Albin Kurti është bërë arrë e fortë për Serbinë, Serbia është dorëzuar para tij, dhe pasi që po dëshmohet hapur, se ka argatët e vet brenda PDK-së dhe në kryeqendër të Kosovës, nxitë ministrat e saj, të deklarojnë publikisht se përderisa të jetë Albin Kurti në krye të Qeverisë së Kosovës, Serbia nuk do ta vazhdojë dialogun me Kurtin”.