LAJME

Transparency International, ja ku rradhitet Kosova në luftën kundër kurrupsionit (FOTO)

Kosova ka bërë përparim në luftën kundër korrupsionit gjatë vitit 2021 me ç’rast është vlerësuar me 39 pikë në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit të përgatitur nga organizata Transparency International.

Sipas raportit, Kosova ka treguar vullnet që ta luftoj korrupsionin, ku siç thuhet “duke hetuar liderët potencialisht të korruptuar”, ku përmenden edhe arrestimet të dhjetëra zyrtarëve e edhe ish-nënkryetarin e komunës së Shtërpcës në një aksion kundër korrupsionit lidhur me ndërtime që supozohet të jenë të paligjshme të vilave në Brezovicë.

Më tej, në këtë raport, Qeverisë së Kosovës, i është bërë thirrje që të sigurohet që emërimet publike të jenë në kohë.

“Megjithatë, qeveria duhet të sigurojë që emërimet publike të jenë në kohë, transparente dhe të paanshme për të sjellë përmirësimet e nevojshme në proceset e prokurimit publik”, thuhet në raportin e Transparency International.

Më tej, në raport përmendet edhe tranzicioni paqësor i pushtetit ndërmjet qeverive gjatë viteve të fundit, ku gjithashtu përmendet fakti që Parlamenti i Kosovës është i vetmi në Ballkanin Perëndimor dhe i pesti në të gjithë Evropën që pushtetin nuk ia ka deleguar qeverisë në rastin e pandemisë.

Raporti flet edhe për gjendjen e sistemit në Serbi, ku thuhet se vendi nuk konsiderohet më demokratik, por një regjim hibrid, teksa përmendet që qeveria e Vuçiqit është bërë e njohur për ndikimin e madh në media, kërcënimin e kritikëve të pavarur dhe mbajtjen e zgjedhjeve në mënyrë të padrejtë.

“Mungesa e transparencës së qeverisë rreth investimeve të mëdha të huaja shkakton shqetësim të gjerë, të reflektuar nga vala e fundit e protestave publike kundër një projekti të diskutueshëm të shfrytëzimit të litiumit”, thuhet në raport.

Kurse, Maqedonia e Veriut, sipas Transparency International, pas disa vitesh rënie, rezultati i saj është rritur për katër pikë nga viti i kaluar, teksa përmenden hapat që vendi ka ndërmarrë për t’i ndjekur penalisht zyrtarët e nivelit të lartë për korrupsion.