Imami i Obiliqit, Behar Mjekiqi është denoncuar të martën në Polici nga e dashura e tij për dhunë fizike. Për rastin e Mjekiqit, Gazeta Insajderi ka kontaktuar kryeimamin e Obiliqit, Izedin Krasniqi, për të kuptuar se cili është qëndrimi i tyre si Bashkësi Islame.
Krasniqi konfirmoi se është takuar me hoxhën Mjekiqi, por që nuk di detaje të rastit.
“Nuk kemi kurrfarë njohurish për këtë që po më pyet, aq sa dini ju di edhe unë personalisht. Po jemi takuar (me Behar Mjekiqin) kemi pasur mbledhje dhe njësoj siç dini ju dimë edhe ne, asgjë më shumë”, tha Krasniqi për Insajderin.
Duke pasur parasysh që imami, Behar Mjekiqi është i martuar dhe ndërkohë është kuptuar se ka bashkëjetuar edhe me një grua tjetër, kryeimami i Obiliqit është pyetur se si e parasheh feja myslimane këtë veprim të Mjekiqit.
Krasniqi nuk ka hezituar ta cilësojë si tendencioze, pjesën e referimit si “e dashura” e hoxhës.
“Nuk kam koment më shumë për këtë çështje, kjo mendoj që është tendencioze nuk kam diçka më shumë me thënë. Por kjo pjesa e dashura, e ç’dashura, ku ta di unë më shumë nuk mundem asgjë me thënë. T’i lëmë organet e hetuesisë ta bëjnë punën e tyre, edhe le të del e vërteta në shesh të jemi të gjithë okej”, tha kryeimami.
Ashtu siç edhe bëri thirrje kryeimami i Obiliqit organet e drejtësisë tanimë veçse kanë filluar të merren me rastin e imamit, për të cilin janë ngritur dyshimet se me ndihmën e komandantit të policisë atje e ka mbyllur rastin.
IPK ka nisur hetimet ndaj zyrtarëve policorë
Nga Inspektorati Policor i Kosovës në një përgjigje për Gazetën Insajderi deklaruar se veç kanë nisur të grumbullojë informacione në lidhje me dyshimet e raportuara në media.
IPK thotë se tashmë ka pasur kontakte me zyrtarë të Stacionit Policor të Obiliqit dhe zyrtarë të tjerë, përshirë edhe kontaktin me Prokurorin e rastit.
“Duke ju referuar kërkesës suaj ju konfirmojmë se IPK sipas detyrës zyrtare (ex officio) ka filluar të grumbullojë informacione pas publikimit të lajmit në medie lidhur me këtë rast. Krahas grumbullimit të informacioneve nga hetuesit e IPK-së janë ndërmarrë edhe veprime hetimore konkrete që kanë përfshirë kontakte me zyrtarë të Stacionit Policor të Obiliqit dhe zyrtarë të tjerë përshirë edhe kontaktin me Prokurorin e rastit. Veprimet tjera do të ndërmirren bazuar në autorizimet ligjore të IPK-së”, thuhet në përgjigjen e IKP-së dhënë Insajderit.
Lidhur me rastin për Insajderin detaje kanë dhënë nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.
Zëdhënësja e kësaj prokurorie, Laureta Ulaj të enjten konfirmoi se viktima ishte pyetur nëse do të shkojë në strehimore por që e njëjta kishte kërkuar të kthehet në shtëpinë e saj në Maqedoninë e Veriut.
“Rastit të cilit i referoheni, ju njoftojmë se me të marrë informatën, prokurori kujdestar me kujdes dhe në mënyrën më të mirë të mundshme i ka analizuar dhe trajtuar të gjitha informatat dhe të gjeturat fillestare të këtij rasti. Viktimës i është ofruar gjithë ndihma e nevojshme, po ashtu, e njëjta është pyetur nëse dëshiron të shkojë në Strehimore, mirëpo ka refuzuar dhe është shprehur se dëshiron të shkojë në shtëpinë e saj”, deklaroi ajo.