Gërmimet arkeologjikë kanë përfshirë këtë vit shumë zona në Shqipëri duke hedhur dritë me fakte të reja për shumë qytete antike dhe qendra arkeologjike. Në qytetin antik të Finiqit, në Jug të Shqipërisë, arkeologët po zbulojnë periudhën romake duke zgjeruar hapësirat e zbuluara urbane.
Zbulimet e reja dëshmojnë jo vetëm rëndësinë historike, por i vijnë në ndihmë edhe zhvillimit të turizmit kulturor.
“Foinike antik” ngjan me një anije të përmbysur në kodrën mbi Finiqin e sotëm, ku arkeologët janë rikthyer edhe këtë vit me gërmimet, që synojnë të hedhin dritë për zhvillimin e qytetit në faza të ndryshme.
Prej vitit 2000 mes Universitetit të Bolonjës në Itali dhe Institutit shqiptar të Arkeologjisë ka një marrëveshje aftgjatë për gërmimet dhe kërkimet.
Ato kryhen çdo vit në këtë qendër të rëndësishme arkeologjike të Shqipërisë që ndodhet vetëm rreth dhjetë kilometër nga qyteti bregdetar i Sarandës.
Finiqi ishte në kohët antike kryeqendra e fisit të Kaonëve dhe më pas kryeqyteti i Epirit dhe njihet si qendra më e fortifikuar arkeologjike në Shqipëri.
Arkeologia Belisa Muka, bashkëdrejtuesja e misionit shqiptaro-italian, thotë se edhe këtë vit gërmimet po përqendrohen në zonën publike të qytetit ku është zbuluar një rrugë e re që lidh godinat, mjaft elementë të rinj urbanë dhe objekte të shumta.
Kjo rrugë e zbuluar nga gërmimet e këtij viti lidh taracën e sipërme të hapësirës publike me taracën e poshtme e cila dëshmon madhështinë e Finiqit në periudhën romake. Gjithashtu këtë vit bëmë edhe disa kërkime në zonën e Nekropolit, të varrezës jugore të qytetit, pasi Finiqi ka disa të tilla, për të parë përmasat dhe kryer dokumentimet e e nevojshme.
Zonja Muka thotë se krahas gërmimit materiali arkeologjik analizohet dhe studiohet në sit.
Për të dytin vit radhasi ne e kemi ngritur laboratorin e arkeologjisë në sit. Pra bëhet mbledhja e materialit, larja, tharja, përzgjedhja, dokumentimi, gjithçka bëhet në sit edhe për të pësur një raport më të qartë, më tëdrejtë, midis statigrafisë dhe materialit.
Profesori i Universitetit të Bolonjës Guisepe Lepore thotë se gërmimet e këtij viti vijojnë të plotësojnë përpjkjet shumëvjeçare për arritjet shkencore dhe historike, përgatijene studentëve të arekologjisë, konservimin e zonës dhe valorizmin e saj për ta bërë më të prekshme nga turistët.
Së pari nga pikëpamja shkencore kemi zbuluar qytetin romak, Foiniken e periudhës romane. Ne vijojmë të përgatisim këtu studentët shqiptarë dhe italianë të arkeologjisë, të punojmë për mbrotjen dhe ruajtjen e strukturave që dalin në dritë nga gërmimet dhe t`i bëjmë ato më të prekshme nga turistët duke i dhënë zonës vlera të qëndrueshme të vizitueshmërisë. Vitin tjetër do të kthehemi sërish me misionin e ri, thotë zoti Lepore.
Arkeologia Belisa Muka që drejton edhe Institutin shqiptar të Arkeologjisë thotë se ky vit ka qenë me shumë misione arkeologjike në gjithë sitet.
Zonja Muka thotë se misionet janë zhvilluar nga arkeologët shqiptarë dhe të huaj dhe kanë sjellë të dhëna mjaft të dobishme për disa nga qendrat arkeologjike më të rëndësishme të vendit.
Kërkimet kanë qenë nga veriu në jug, nga lindja në perëndim, në të gjitha sitet dhe parqet arkeologjikë ku e ushtrojmë aktivitetin tonë si Institut, në bashkëpunim apo të vetëm. Rezultatet janë sipas rasteve, por gjithnjë të rëndësishme pasi shtojnë elemente të reja për pyetjet që ne kemi ngritur dhe përgjigjet që duam të marrim. Sigurisht ka pasur projekte që kanë pasur një gjetje më të madhe në raport me të tjerat. Kemi pasur projekte nga prehistoria, antikiteti, antikiteti i vonë dhe mesjeta.
Zonja Muka thote se e ka të vështirë të veçojë projekte specifike, por ajo përmend të dhënat e zbulimit të vendbanimit të lashtë të Linit, në Pogradec, që është datuar si më i vjetri në Europë.
Të gjithë janë po aq të rëndësishëm, por rasti i projektit “Lin 3” veçon për shkak të analizave dhe mundësisë për të përvijuar një fenomen edhe në hapësirat e tjera, pra për të krahasuar tipologjinë e vendbanimit të palafit në një zonë më të gjerë, më të shtrirë. Qyteti i Finiqit në periudhën romake është një element i jashtëzakonshëm, Lugina e Drinos ku ka të dhëna të reja, Bushati ka dhënë të reja shumë të rëndësishme, Durrësi qytet me antikitetin e vonë dhe mesjetën, Butrinit gjithashtu vazhdon, çuka e Ajtoit. Kemi pasur kërkime në Koman, në Drisht, në Sart, në qytetin antik të Zgërdheshit.
Shumica e vendbanime dhe qendrave më të rëndësishme arkeologjike në Shqipëri kanë ende nevojë për gërmime dhe kërkime pasi vetëm një përqindje e vogël e tyre është zbuluar dhe kthyer në itinerare turistike.
Pas periudhës së pandemisë së koronavirusit, kur misionet arkeologjike u frenuan, tani ekipet e arkeologëve janë gjithnjë e më të pranishëm për të hedhur më shumë dritë për lashtësinë e trojeve shqiptare./VOA