Për kaq euro do të rriten pagat e mësimdhënësve nga janari

Posted by

28 euro respektivisht 29 euro do të kenë rritje në paga mësimdhënësit nga janari i vitit të ardhshëm.

Kjo, pasi që vlera e koeficientit nga 105 euro sa është këtë vit, më 2024 do të jetë 110 euro.

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jasharaj, ka deklaruar se kjo është një ngritje irrituese.

“Nga analizat e para që i kemi bërë duke marrë për bazë vendimin e Qeverisë për ngritje nga 105 në 110 euro të koeficientit kemi ardhë në përfundim se ngritja bie fjala nga paga e dhjetorit me atë të janarit ngritja për arsimin parafillor, fillor, të mesëm të ulët do të jetë 28 euro, ndërsa në arsimin e mesëm të lartë ngritja do të jetë 29 euro. Pra, një ngritje ironike që krijon dhe ka krijuar po them një revoltë një pakënaqësi shtesë”, ka treguar Jsharaj

Sipas tij, pakënaqësitë nga punëtorët e arsimit janë të mëdha dhe do të shtohen edhe më shumë.

“Pakënaqësitë janë dhe do të shtohen ngase në vend që të mobilizohen, në vend që të inkurajohen mësimdhënësit për punë më të madhe ata me këtë ligj janë të zhgënjyer dhe ky zhgënjim nuk është i mirë dhe nuk sjellë rezultatet e pritura në arsim”, ka shtuar ai.

Ai thotë se do të kërkojnë përsëri nga deputetët që të ngrisin zërin rreth kësaj çështjeje, ani pse deklaron se nuk pret ndonjë rezultat.

“Ne jemi angazhuar dhe do të angazhohemi që përmes letrave drejtuar deputetëve të pozitës dhe opozitës që ata ta ngrisin zërin në mos po ndodhë ndonjë ndryshim eventual gjë të cilën nuk e presim shumë ngase u pa edhe rezoluta, u panë edhe debatet që nuk dhanë fryt, sepse Qeveria këmbëngul në vendimet e veta dhe do të kemi edhe një pakënaqësi në sektorin e arsimit”, është shprehur ndër të tjera Jasharaj për Front Online.

Nuk din se çfarë do të ndodhë nga janari e tutje lidhur me atë se a mund të ketë greva e protesta, pasi që pakënaqësitë rreth këaj vlere po del të jenë të mëdha.

“Se çfarë do të bëjmë nga janari e tutje nuk mund ta them tani. Nuk kemi kërkesa momentale nga terreni për ndonjë veprim sindikal dhe kështu që ne do të bëjmë të gjithë angazhimet e mundshme që përmes dialogut, që përmes shkresave mos po ndikojmë që Qeveria, gjegjësisht parlamenti ta ndryshojë vendimin për vlerën e ngritjes së koeficientit vetëm për 5 euro”, ka thënë i pari i SBASHK-ut.

Por, Jasharaj ka një shqetësim.

Ai frikohet se në të ardhmen Kosova do të mbetet pa mësimdhënës.

E, krejt kjo për shkak që këta të fundit janë të zhgënjyer me ngritjen që po iu bëhet në pagë.

“Kjo ngritje kaq e ulët ka krijuar shqetësime të mëdha dhe shihet edhe të zhgënjimi i madh i punëtorëve të arsimit dhe kjo mbase ka ndikuar që edhe të shtohen kërkesat për pushim pa pagesë një vit edhe pse kolegët që kërkojnë këtë pushim paraqesin arsyetime të ndryshme unë kam frikën se ata me të ardhur janari do të provojnë që të shkojnë dikund tjetër qoftë edhe jashtë apo edhe në ndonjë sektor tjetër, dhe nëse e gjejnë veten atje ata nuk do t’i kthehen sektorit të arsimit dhe në këtë mënyrë do të bëhet si shprehi dhe mund të vihet në rrezik edhe sistemi arsimor në të ardhmen në mungesë të kuadrove”, është shprehur Jasharaj.

Rritjen më të madhe të pagave, do ta kenë ata që e kanë koeficient më të lartë.

Në bazë të ligjit në Kosovë koeficientin më të madh e ka Presidentja e Kosovës (18).

Paga e Presidentes me rritjen e koeficientit të pagave nga 1890 euro sa e ka aktualisht, shkon në 1,980 (90 euro rritje).

Paga e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese nga 1837 euro, shkon në 1925 euro (88 euro rritje).

Paga e kryeministrit, kryetarit të Kuvendit, kryetarit të Gjykatës Supreme, Kryeprokurorit të Shtetit rritet për 85 euro (nga 1,785 euro shkon në 1,870 euro).

Paga e deputetëve dhe ministrave rritet për 82 euro (nga 1,722 euro shkon në 1,804 euro).

Paga e kryetarit të Prishtinës dhe komandantit të FSK-së rritet për 75 euro (nga 1,575 euro shkon në 1,650 euro).

Paga e ushtarit të FSK-së rritet për 28 euro (nga 588 euro shkon në 616 euro).

Paga e gardianit të burgut rritet për 27.5 euro (nga 577.5 euro shkon në 605 euro)

Paga e policit dhe zjarrfikësit rritet për 25 euro ( nga 525 euro shkon në 550 euro).

Paga e rektorit të UP-së rritet për 71 euro (nga 1491 shkon në 1562 euro)

Paga e profesorit universitar rritet për 62 euro (nga 1302 euro shkon në 1364 euro)

Paga e mësimdhënësit të shkollës së mesme të lartë rritet për 29 euro (nga 609 euro shkon në 638 euro)

Paga e mësimdhënësit të shkollës së mesme të ulët rritet për 28 euro (nga 588 euro shkon në 616 euro)

Paga e edukatorit rritet për 26 euro (nga 546 euro shkon në 572 euro)

Paga e mjekut specialist rritet për 60 euro (nga 1,260 euro shkon në 1,320 euro)

Paga e infermierit rritet prej 25 deri 30 euro.