Në veri janë lëshuar sërish sirenat, dhe deri më tani ka shumë raportime të pakonfirmuara se Njësia Speciale e Policisë së Kosovës ka arrestuar një person në Mitrovicën e Veriut.
Mediumi “Jepi Zë” ka publikuar disa pamje, të cilat pretendohet se e tregojnë njësinë speicale duke arrestuar një person.
Nacionale ka mësuar po ashtu jozyrtarisht, se Policia e Kosovës ka arrestuar një person atje, gjë që më pas ka bërë që serbët të lëshojnë sirenat.
Ndërkaq, mediat serbe kanë raportuar se pas kësaj, qytetarët serbë kanë sulmuar veturën e policisë së Kosovës me gurë dhe mjete të tjera.
Shënim: Nacionale ka kontaktuar policinë e Kosovës për rajonin e veriut, por deri në këto momente nuk kemi marrë përgjigje dhe nuk kemi arritur që në mënyrë të pavarur t’i konfirmojmë këto informacione.
Po ashtu, Nacionale e ka kontaktuar në telefon edhe kryetarin e Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, për të marrë më shumë detaje, por i njëjti s’e ka hapur telefonin.