LAJME

Akuzohen për vrasjen e Liridona Ademajt, gjykata jep vendimin për Naim Murselin dhe dy bashkëpunëtorët

Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur të zgjasë masën e paraburgimit për Naim Murselin, Kushtrim Kokallën dhe Granit Plavën, të cilët akuzohen për përfshirjen në vrasjen e Liridona Ademajt. Sipas këtij vendimi, të tre të dyshuarit do të qëndrojnë në paraburgim për dy muaj të tjerë, deri më 24 dhjetor 2024.

Në një deklaratë zyrtare, zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi, konfirmoi se kërkesa e Prokurorisë për vazhdimin e masës së paraburgimit për N.M., G.P. dhe K.K. është miratuar nga Departamenti për Krime të Rënda. Vendimi fillestar për paraburgimin e tyre u mor më 3 dhjetor 2023 dhe më pas u konfirmua nga Gjykata e Apelit.

Në këtë rast, një i dyshuar i katërt, i identifikuar si T.D., u arrestua më 9 dhjetor 2023, pasi dyshohet se kishte shitur armën e përdorur në krim. Për të, Gjykata vendosi më vonë që ai të mbrohet në gjendje të lirë pas apelimit të vendimit që e mbante në paraburgim.

Deri më tani, motivet e vrasjes së Liridona Ademajt, e cila kishte shtetësi suedeze së bashku me familjen e saj, mbeten të paqarta.