Sërish të shtëna me armë në Shkup, këtë herë në komunën e Kisella Vodës. Siç bëhet e ditur në raportin ditor të Ministrisë së Punëve të Brendshme, një person ka shtënë me armë zjarrin drejt një veture e cila ka qenë e parkuar. Në vendin e ngjarjes janë gjetur katër gëzhoja plumbash, transmeton TV21.
“Më 06.10.2024 në ora 21.13 në SPB Shkup, B.J. nga Shkupi ka denoncuar se një person me armë zjarri ka gjuajtur në drejtim të veturës së tij “Opel korsa” me targa të Shkupit, e parkuar para shtëpisë së tij në lagjen “11 Oktomvri” në Shkup. Hetim në vendin e ngjarjes ka kryer ekipi i Stacionit Policor në Kisella Vodë dhe janë gjetur katër plumba”, thuhet në raportin policor.
Nga MPB-ja bëjnë të ditur se ndërmerren masat për zbardhjen e rastit.
Kujtojmë se ditë më parë të shtëna me armë pati edhe në një komunë tjetër të Shkupit – në Çair ku pati edhe të plagosur.