LAJME
Nazim Avdiu, viktima e aksidentit të sotëm tragjik në afërsi të Beogradit
Në një aksident të rëndë trafiku që ndodhi herët këtë mëngjes në autostradën Beograd–Nish, pranë nyjës Umçari, humbën jetën dy persona, ndërsa një pasagjer tjetër u dërgua urgjentisht në spital me lëndime të rënda.
Bëhet e ditur se në veturën e aksidentuar ishin dy vëllezërit Nazim dhe Shkëlzen Avdiu si dhe bashkëshortja e Shkëlzenit.
Në vendin e ngjarjes jetën e kanë humbur Nazim Avdiu dhe bashkëshortja e Shkëlzenit, kurse Shkëlzeni ka pësuar lëndime të rënda.
Në një publikim të Hoxhë Burim Jashari thuhet:
“Te Allahut jemi dhe tek Ai do të kthehemi.
Me dhimbje të thellë morëm lajmin për aksidentin tragjik në Beograd, ku humbën jetën Avdiu Nazim dhe bashkëshortja e vëllait tonë Shkëlzen Avdiu, ndërsa Shkëlzen Avdiu ndodhet në gjendje kome, në gjendje të rëndë shëndetësore.
Nazim Avdiu ishte një xhemat i afërt i imi, shembullor, namazli i përkushtuar, njeri i qetë dhe i urtë, dhe një personalitet i respektuar nga të gjithë. Ai ka dhënë një kontribut të çmuar në xhaminë tonë “Jakup Asipi” – Berlin.
Kjo humbje është e rëndë për familjen, xhematin dhe për të gjithë ata që i njohën. Lusim Allahun e Madhëruar t’i mëshirojë Nazim Avdiun dhe bashkëshorten e Shkëlzen Avdiut, t’i pranojë në mëshirën e Tij të pafund, t’u japë sabër familjarëve, ndërsa Shkëlzen Avdiut t’i dhurojë shërim sa më të shpejtë.
Hoxhë Burim Jashari
21.12.2025 Shkup”