BOTA
Vlen mbështet SHBA për veprimet e fundit
Koalicioni VLEN shpreh mbështetje për veprimet e SHBA-së ndaj Iranit dhe riafirmon solidaritetin euroatlantik.
Koalicioni VLEN ka dhënë sot qëndrimin e saj lidhur me zhvillimet e fundit dhe veprimet e ndërmarra nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndaj Iranit, duke riafirmuar mbështetjen për sigurinë dhe stabilitetin ndërkombëtar.
Në deklaratën zyrtare, VLEN thekson se në një periudhë të sfidave globale, vendimet duhet të jenë përgjegjëse dhe të udhëhequra nga parimet e qarta. Koalicioni vlerëson rolin historik të SHBA-së si garantuese të paqes dhe rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla dhe nënvizon rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë me aleatët.
Si aleate e përhershme dhe partnere strategjike e SHBA-së, Maqedonia e Veriut mbetet e përkushtuar ndaj demokracisë, lirisë, sigurisë kolektive dhe mbrojtjes së paqes. VLEN thekson se si anëtare e NATO-s, vendi qëndron fuqimisht pranë aleatëve dhe mbështet çdo iniciativë që synon ruajtjen e stabilitetit rajonal dhe global. Solidariteti me partnerët euroatlantikë përkohet me përgjegjësinë e përbashkët për sigurinë.
Koalicioni gjithashtu shpreh besimin se paqja përfshin jo vetëm mungesën e konfliktit, por edhe praninë e drejtësisë dhe stabilitetit ndërkombëtar, duke ritheksuar angazhimin e Maqedonisë së Veriut për të qëndruar pranë SHBA-së si partner strategjik dhe pjesë e botës demokratike dhe euroatlantike.