Reisul-ulema i Bashkësisë Fetare Islame të Republikës së Maqedonisë së Veriut, H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, së bashku me ambasadorin e Republikës së Turqisë në Shkup, Fatih Ulusoy, myftiun e Shkupit dr. Kenan ef. Ismaili, Isral Jakupi, këshilltarin Mustafa Budur, si dhe myftinjtë dhe drejtorët e shërbimeve pranë Rijasetit, drejtorin e Medresesë “Isa Beu” dhe dekanin e Fakultetit të Shkencave Islame, vizituan xhaminë e Topaansë në Shkup.
Gjatë vizitës u bë inspektimi i gjendjes së xhamisë dhe u diskutuan çështje që lidhen me funksionimin e saj. Pas konsultimeve të zhvilluara, u mor vendim që xhamia të hapet për besimtarët për faljen e të gjitha namazeve ditore, si dhe për faljen e namazit të teravisë gjatë muajit të bekuar të Ramazanit.
Vendimi është marrë me qëllim që të sigurohen kushte të përshtatshme për besimtarët, në mënyrë që obligimet fetare të kryhen pa pengesa dhe në përputhje me standardet e nevojshme organizative dhe funksionale.
Me këtë rast, Reisul-ulema Fetai shprehu mirënjohje ndaj ambasadorit të Republikës së Turqisë për mbështetjen e vazhdueshme ndaj projekteve fetare dhe institucionale të Bashkësisë Fetare Islame, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional në realizimin e projekteve në dobi të besimtarëve.
Në fund, u shpreh urimi që muaji i shenjtë i Ramazanit të jetë i bekuar për të gjithë besimtarët.



