LAJME

PDK në Skenderaj i reagon Bekim Jasharit për borxhin komunal prej mbi 1.5 milionë

Borxhet e mbetura të qeverisjes së kaluar në krye me Sami Lushtakun vazhdojnë të jenë mollë sherri mes degës së PDK-së dhe qeverisjes aktuale të Bekim Jasharit.

Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari së fundmi gjatë një dëgjimi buxhetor të mërkurën ka fajësuar qeverisjen paraprake se ia kanë lënë “obligimet financiare të pa kryera në shumën prej mbi 1.5 milionë eurosh”.

Dega e PDK-së në Skenderaj, ka reaguar përmes një shkrimi në “Facebook, duke thënë se “një deklarim i tillë ose  është shprehje e mosdijes mbi konceptin e borxhit ose mosnjohje mbi planifikimin dhe menagjimin e kontratave kornizë (afatgjata)”.

“PDK dega në Skenderaj, me përgjegjësi njofton opinionin publik se ish qeveria e kaluar ka lënë një buxhet të planifikuar mirë me trende jashtëzakonisht pozitive  dhe me zero borxhe, madje me dyfishim të të hyrave per vitin 2018-2019 nga të hyrat e menjëhershme të realizuara nga koncesioni. Si e tillë, nuk ka lënë asnjë obligim financiar të pa buxhetuar në perputhje të plotë  më planifikimin e paraparë si në investime publike ashtu edhe në ofrim të shërbimeve”, thuhet mes tjerash në reagimin e degës qe udhëhiqet nga Sami Lushtaku duke shtuar se kjo është vetëm arysetim i dështimeve.

Kujtojmë se Partia Demokratike e Kosovës ka udhëhequr në Skenderaj që nga pas lufta, por në zgjedhjet lokale të vitit 2017 janë tërhequr nga gara për të parin e kësaj komune për të mbështetur kandidatin e pavarur, Bekim Jasharin.

Ky është reagimi i plotë i degës së PDK-së në Skenderaj:

Ndaj deklarimit publik të Kryetarit të Komunës së Skenderajt z.Jashari në  raportin e tij të dhënë e të publikuar më dt.26.08.2020 në mbledhjen e dëgjimit buxhetor më qytetarë.

Një degjim buxhetor  në aspektin ligjor e  formal thirret për të degjuar dhe për të marrë kërkesa nga qytetarët, të cilat trajtohen pastaj në procesin e buxhetimit e asesi nuk jepen raporte të tilla (mandatore), ngase çështjen e raportimit para qytetarëve e rregullon neni 68 i Ligjit për Vetëqeverisjes Lokale. ( Faik Konica do thoshte: ”Fali o Zot, se nuk dinë çfarë bëjnë).

Por mëgjithatë për PDK-në, dega në Skenderaj është i papranueshme deklarimi në këtë raport, citim: ”obligimet financiare të pakryera që kam trashëguar nga ish qeverisja në shumën prej 1.5 milionë”.

Një deklarim i tillë ose  është shprehje e mosdijes mbi konceptin e borxhit ose mosnjohje mbi planifikimin dhe menagjimin e kontratave kornizë (afatgjata), në raste të tilla lutja e Konices do mjaftonte!

Në të kunderten dhe në çdo rast një deklarim i tillë është përpjekje për të justifikuar dështimet tri vjeçare të kesaj qeverisje.

PDK dega në Skenderaj, me përgjegjësi njofton opinionin publik se ish qeveria e kaluar ka lënë një buxhet të planifikuar mirë me trende jashtëzakonisht pozitive  dhe me zero borxhe, madje me dyfishim të të hyrave per vitin 2018-2019 nga të hyrat e menjëhershme të realizuara nga koncesioni.

Si e tillë, nuk ka lënë asnjë obligim financiar të pa buxhetuar në perputhje të plotë  më planifikimin e paraparë si në investime publike ashtu edhe në ofrim të shërbimeve.

Në praktikat e saj në funksion të efikasitetit në realizimin e projekteve janë përdorur kontratat kornizë afat-gjate 2-3 vite dhe rrjedhimisht çdo vit fiskal 40% të buxhetit janë planifikuar për projektet në vazhdim, ndërsa 60% kanë qenë projekte të reja, i tillë ishte edhe buxheti i vitit 2018, vit në të cilin fatkeqësisht qeveria aktuale nuk mundi të fillojë as edhe një projekt të ri, përjashtuar ato që ishin në vazhdim.

Andaj, për fat të keq sot shohim realizimin e projekteve që i kishim planifikuar e do të duhej të perfundonin në 2018-2019, madje jo pak prej tyre e jo të parëndësishme si p.sh.projekti i furnizimit me ujë Shipol-Brus, Unazat e Qytetit, Qerdhja etj …, as që kanë lëvizur fare.

Qeverisja aktuale para së të justifikohet për dështimet e saj, duhet qytetareve të ju sqaroj:

Pse në qeverisjen e kaluar (2017), Komuna e Skenderajt ishte në vendin e 9- të sa i përket transparencës në konkurrencë me komunat tjera ndërsa qeverisja aktuale e degdisi në  vendin e 23- të ( Pub. Maj 2019-USAID/KDI/TIK).

Pse në qeverisjen e kaluar vlera e përqindjes së invsetimeve kapitale ishte 28% ndersa në qeverisjen aktuale është nën 25% ( shih raportet vjetore të buxhetit).

Pse qeverisja e kaluar decentralizoi buxhetin në shkolla dhe drejtorët e shkollave menaxhonin në mënyrë autonome, ndërsa qeverisja aktuale centralizoi buxhetin e arsimit dhe drejtorët   e shkollave nuk i pyet kush për buxhetin që u takon (shih. buxhetin, pyet drejtorët)?.

Pse qeverisja e kaluar planifikoj buxhetin e plotë 2018 për pagesat e shpërblimit jubilar dhe ato përcjellëse për mësimdhënësit, ndërsa qeverisja aktuale nuk i zbatoi? Ku mbeten ato mjete? ( shih. buxhetin e 2018-ës, kategorinë e pagave në Arsim).

Cilat janë të gjeturat e Auditorit të Përgjithshëm dhe pse kjo qeverisje nuk implementoi rreth 70% të rekomandimeve nga të gjeturat e vitit paraprak  (shih raportin e auditorit 2020) etj. etj…?!

PDK dega në Skenderaj, fton qeverisjen komunale që para opinionit publik dhe qytetareve të saj të paktën të tregohet e sinqertë dhe korrekte.

LEAVE A RESPONSE