Rama: Ajo që në shqip u damkos si tradhëti kombëtare, në anglisht u kthye në arritje historike
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama duke komentuar marrëveshjen në mes Kosovës dhe Serbisë, të nënshkruar dje në Shtëpinë e Bardhë, ka thënë se nuk e ka dyshuar asnjë çast që do të vinte dita që Kosova do ta pranonte Shengenin Rajonal, por e ka “lodhur” vetëm refuzimi i pafundëm dhe koha e humbur kot, shkruan Gazeta Metro.
Nuk e kam dyshuar asnjë çast që do të vinte dita që Kosova do ta pranonte “Minishengenin” e ashtuquajtur – për mua është Shengen Rajonal, aspak “mini”! Më ka “lodhur” vetëm refuzimi i pafundëm, koha e humbur kot me shumicë, kompleksimi i dëmshëm i faktorëve racionalë në politikën e Kosovës; të cilët u strukën brenda guackës së absurdit të krijuar nga fansat e turbofolk-nacionalizmit provincial, që e futi Kosovën në një rrugë qorre defaktorizimi ndërkombëtar e ftohjeje me aleatët e saj më të mëdhenj, sidomos Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Gjermaninë.
Rama ka shkruar se e ka lexuar me vëmendje marrëveshjen e nënshkruar në Zyrën Ovale dhe përtej kënaqësisë që u arrit, falë përfshirjes së Shteteve të Bashkuara – si edhe përtej lajmit fantastik të njohjes së Kosovës nga Izraeli, ka ndjesinë e hidhur të faktit se çka është firmosur dje, s’ka asgjë që nuk është pjesë e planit të kahershëm për Shengenin Rajonal, rrjedhojë logjike e procesit të Berlinit, ndërkohë që koha e humbur deri dje është rrënqethëse.
“Nuk e kam dyshuar asnjë çast që do të vinte dita që Kosova do ta pranonte “Minishengin” e ashtuquajtur – për mua është Shengen Rajonal, aspak “mini”! Më ka “lodhur” vetëm refuzimi i pafundëm, koha e humbur kot me shumicë, kompleksimi i dëmshëm i faktorëve racionalë në politikën e Kosovës; të cilët u strukën brenda guackës së absurdit të krijuar nga fansat e turbofolk-nacionalizmit provincial, që e futi Kosovën në një rrugë qorre defaktorizimi ndërkombëtar e ftohjeje me aleatët e saj më të mëdhenj, sidomos Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Gjermaninë. Humbëm jo vetëm kohë e reputacion, me atë taksën e famshme që do gjunjëzonte Serbinë dhe që u kthye në gjobë e lojës së brendshme elektorale duke plagosur Kosovën, po humbëm edhe shanse që s’përsëriten në ndeshjen politike e diplomatike me Serbinë. Ajo që në shqip u damkos me vite si tradhëti kombëtare, në anglisht u kthye brenda një dite në arritje historike. Lexova pikën e marrëveshjes ku flitet për një infrastrukturën tokësore që do të nxjerrë Serbinë dhe Kosovën në një port të thellë në Adriatik. Në Durrës i bie, sepse është llafi për atë rrugën Nish – Prishtinë – Durrës, që Saliu e ka pagëzuar si rruga e turpit të tradhëtisë së Edvinit! Ajo rrugë ka qenë në tryezën e çdo raundi të Procesit të Berlinit, madje Albini pat kujtuar se dolën në shesh hartat e ndarjes së Kosovës, kur pa një foto nga Berlini ku ishte Kancelarja e Gjermanisë, Hashimi, Presidenti i Serbisë dhe unë duke parë vijën e asaj rruge mbi një hartë të Ballkanit Perëndimor”, ka shkruar Rama.
Postimi i plotë i Ramës në Facebook:
SHËNIM PËR NJË KEQKUPTIM TË MADH
Dje Kosova firmosi një marrëveshje të re me Serbinë. Bukur!
Çdo komunikim, takim, marrëveshje drejt paqes përfundimtare, mes dy vendesh që e kanë mbaruar luftën mesveti, është në vetvete diçka pozitive. Të komunikosh me armikun nuk është asnjëherë e gabuar në vetvete; as në mes të luftës, kur kjo është e nevojshme dhe e mundur. E gabuar në vetvete është të mos komunikosh kur e kërkon nevoja dhe krijohet mundësia. Ndërsa të mos komunikosh e të mos takohesh dhe madje të predikosh të kundërtën, e të etiketosh si tradhëtarë ata që e bëjnë këtë, kur lufta ka mbaruar e kur armiku i deridjeshëm është fqinji i sotëm e i nesërm me të cilin ende s’ke mbyllur hesapet e paqes, kjo është jo thjesht e gabuar! Është e fajshme.