LAJME

Rrëzimi i Qeverisë Hoti nga VV e PDK? Vjen parashikimi i Zogajt

Që nga formimi i saj, opozita e ka kundërshtuar qeverinë Hoti.

E kundërshtimi u bë edhe më i fuqishëm së fundmi, me nënshkrimin e marrëveshjes në Shtëpinë e Bardhë, ku përpos VV-së e PDK-së, kundër doli edhe AAK, e cila është pjesë e koalicionit.

VV ka nevojë vetëm edhe për 9 nënshkrime për të dërguar në Kuvend mocionin për rrëzimin e Qeverisë, derisa një mocion të tillë ka paralajmëruar edhe PDK.

Në anën tjetër, AAK kërkon postin e presidentit, në të kundërtën do ta rrëzojë qeverinë.

Se sa ka mundësi që të bie qeveria dhe që të kemi zgjedhje në vjeshtë, për gazetën “Bota sot” njohësi i çështjeve politike, Skënder Zogaj.

Sipas tij, opozita gjithkund synon që ta rrëzojë qeverinë dhe ta marrë pushtetin.

“Opozitat gjithmonë dhe gjithkund, qëllim të vetëm, e kanë rrëzimin e pozitës, edhe nëse ajo është me suksese brilante! Opozitës i intereson marrja e pushtetit me çdo kusht, prandaj, është krejtësisht e kuptueshme edhe kërkesa e opozitës aktuale në Kosovë”, është shprehur ai.

Zogaj vlerëson se në situatën në Kosovë, rrëzimi i qeverisë është shfrytëzim i keq i rrethanave shumë të brishta, duke shtuar se kushtëzimi me postin e presidentit është antishtetërore, antikombëtare dhe antinjerëzore.

“Mirëpo, në situatën që ndodhet Kosova, unë personalisht mendoj se, rrëzimi i qeverisë është shfrytëzim i keq i rrethanave shumë të brishta, por mjaft të favorshme për daljen e Kosovës në udhën e madhe të shtetformimit përfundimtar, që është interesi jetik i lirisë dhe pavarësisë së vendit, dhe që, askujt nuk i lejohet që, për qëllime politike të dëmtojë interesim historik të vendit! Kush nuk e kupton sa e padenjë është nëse dikush e kushtëzon Qeverinë për ta marrë postin e Presidentit! Kjo është absurditet i skajshëm! Unë nuk besoj se do të dominojë kjo ide, por nëse ndodh, atëherë, e them bindshëm se, kjo mënyrë e politikë bërjes është antishtetërore, antikombëtare dhe antinjerëzore, sepse, interesi i vendit këmbehet për interesa personale”, ka theksuar Skënder Zogaj.

Ai shton se nuk do të ketë zgjedhje sivjet, sepse zgjedhjet në këtë gjendje do të ishin fatale për vendin.

“Sivjet zgjedhje nuk duhet të ketë! Nuk duhet të ketë sepse zgjedhjet e shpejta dhe në situatën ekzistuese, sjellin pasoja të reja fatale për vendin. Qytetarët duhet të mos bien pre e mashtrimeve të reja që partitë politike po përpiqen t’i mbulojnë me prodhimin e mjegullave të reja, që janë e vetmja mundësi e fshehjes se mëkateve dhe qëllimeve të ndyta”, ka deklaruar Zogaj për “Bota sot”.

LEAVE A RESPONSE